Sot në sallën e mbledhjeve në komunën e Podujevës, kryetari kësaj komune Agim Veliu, ka mbajtur takim me qytetarët e Podujevës, njofton Llapi.info
I pari Podujevës, Agim Veliu informoi qytetarët për realizimin e projekteve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018.
Para qytetarëve Veliu shtoi se për këtë vit komuna ka buxhet prej rreth 21 milion eurove.
“Kam ftuar këtë takim me ju për t’iu informuar në lidhje me ecurinë e realizimit të projekteve dhe aktiviteteve të tjera të parapara për vitin 2018. Me theks të veçantë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Komuna për këtë vit buxhetor ka planifikuar investime në projekte të ndryshme në bazë të buxhetit të miratuar në kuvend i cili është 20 milion e 953 mijë e 255 euro, prej të cilave për investime kapitale janë 6 milion 489 mijë e 514 euro. Kurse, për subvencione janë 568 mijë e 883 euro. Në kuadër të mjeteve që kemi në dispozicion është bërë miratimi dhe planifikimi i projekteve për këtë vit kalendarik sa për informim, projektet e miratuara në kuvend deri më tani janë duke u zhvilluar sipas planit dinamik. Edhe në këtë vit investime kapitale kanë qenë të orientuara në projekte të ndërtimi dhe rregullimit të infrastrukturës të cilat do të obligojnë në përmisimin e jetës së qytetarëve të Podujevës.” ka thënë Veliu.
Tutje i pari i Podujevës tha se përveç repartit të Maternitetit së shpejti do të bëhet funksionalizimi i reparteve të tjera në spitalin e qytetit.
“Tashmë kemi hyrë në fazën e finalizimit të ndërtimit të infrastrukturës rrugore, kemi të asfaltuara mbi 80 për qind të rrugëve nga rreth 1300 rrugë publike sa janë të evidentuara në Podujevë. Jemi duke vazhduar në asfaltimin e rrugicave nëpër lagje, kemi filluar me realizimin e disa projekteve të mëdha infrastrukturore në qytet, siç është hapja e rrugës së re pranë lumit Llap e cila shërben unazë e brendshme që mundëson qarkullimin e automjeteve në qytet që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin e asaj pjese të qytetit. Besojmë se së shpejti në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHSKUK-në do të funksionalizojmë edhe repartet të tjera të spitalit” iu tha qytetarëve Veliu.
Më tej Veliu tha se ka edhe shumë projekte të tjera për t’u realizuar që pritet të realizohen brenda këtij viti./Llapi.info