Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka votuar sot për zgjedhjet në Shqipëri, raporton Llapi.info.

Kështu ka bërë të ditur vetë Bulliqi në një postim në Facebook, teksa ka publikuar fotografi duke hedhur votën e tij në kuti.

“Unë, sapo votova për një Shqipëri krejt tjetër. Uroj që ky proces të shkojë mbarë e mirë, ftoj të gjithë qytetarët me pasaportë shqiptare ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre qytetare për të votuar”, ka shkruar ai.

Ndryshe, në këto zgjedhje marrin pjesë 12 parti. Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kandidon si i pavarur, Bojken Abazi. Po ashtu, LVV ka garues edhe në Gjirokastër e Lezhë.

Rreth 3 milion e 600 mijë shqiptarë të regjistruar në listat e votuesve do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në Kuvend, kjo pasi përveç subjektit zgjedhor, kanë të drejtë që të zgjedhin edhe kandidatin nga lista./Llapi.info