Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka uruar besimtarët islamë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, njofton Llapi.info.

Bulliqi, në një postim në Facebook, duke uruar agjërim të lehtë për myslimanët, ka bërë thirrje që të respektohen edhe masat për parandalimin e përhapjes së virusin korona.

“Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë për fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit! Muaji i Ramazanit, përveç sakrificës së besimtarit, simbolizon edhe solidaritetin mes njëri-tjetrit. Gjatë këtij muaji besimtari mysliman dëshmon përkushtimin ndaj Zotit dhe të mirave të tij. Krahas agjërimit, Ramazani është edhe muaj i vizitave dhe iftareve tek familjarët, miqtë e dashamirët. Mirëpo, edhe kësaj radhe jemi të obliguar të qëndrojmë në shtëpi me familjen e ngushtë, shkaku i parandalimit të përhapjes së Covid-19, i cili po merr jetët e qytetarëve tanë. Prandaj, ju lus të gjithëve që t’i respektoni masat anti-Covid dhe të qëndroni në shtëpi në familjet tuaja!”, ka shkruar ai.

Më tej, Bulliqi në postimin e tij ka thënë se gjatë këtij muaji janë duke punuar që t’u dilet në ndihmë familjeve që janë në gjendje të rëndë sociale.

“Ne po punojmë që gjatë këtij muaji të madhërishëm të Ramazanit të qëndrojmë afër atyre familjeve që janë në gjendje të rëndë sociale dhe që kanë nevojë më së shumti. Kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit me të gjithë donatorët për të ndihmuar qytetarët në nevojë, me pako ushqimore, që të paktën gjatë këtij muaji, secila familje ta ketë sofrën plotë. Ju dëshiroj agjërim të lehtë dhe të pranueshëm te Zoti!”, ka shkruar Bulliqi./Llapi.info