Me rastin e festës së 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kërkon nga qytetarët që kjo festë të kremtohet pa e dëmtuar mjedisin në të cilin jetojmë ne dhe për të cilin po investojmë.

Meqë jemi në prag të 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës, mbështesim plotësisht kremtimin e kësaj feste, por jo në mënyrat dhe format se si është festuar më parë.

Komuna e Podujevës ka realizuar shumë projekte mjedisore e sidomos viteve të fundit për ta bërë ambientin sa më të pastër dhe të bukur. Prandaj kërkojmë nga qytetarët që kjo festë të kremtohet pa e dëmtuar mjedisin në të cilin jetojmë ne dhe për të cilin po investojmë.

Është momenti dhe koha e fundit që t’i shmangemi dhe t’i parandalojmë disa praktika të më hershme, me të cilat është dëmtuar rënd ambienti, shëndeti i qytetarëve e në veçanti shëndeti i fëmijëve.

Për çdo shoqëri, mjedisi është pasuria dhe mirëqenia më e vlefshme dhe ne duhet të kultivojmë një traditë të mbrojtjes së mjedisit.

I ftoj qytetarët, sidomos institucionet arsimore, por edhe prindërit të ndikojnë tek fëmijët dhe te të rinjtë që mos të shkaktojnë ndezje të zjarreve nga goma, plastika dhe kemikalie të ndryshme. Sepse, më të dëmtuarit janë vet fëmijët të cilët nuk i dinë pasojat e rënda të kësaj dukurie.

Kërkoj nga inspektorët e ambientit që t’i ndëshkojnë me gjoba në bazë të Ligjit të gjithë ata qytetarë të cilët i kapin duke ndotur ambientin me ndezje të zjarreve. Po ashtu i thërras organet policore që të ndihmojnë në këtë drejtim dhe të bashkëpunojnë me inspektorët për të qenë veprimi për parandalim dhe mbrojtje sa më efikas.

Agim Veliu, Kryetar i Komunës së Podujevës