Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka mbajtur sot takim me Këshillin e Drejtorëve të Komunës, ku është diskutuar lidhur me ecurinë e përgatitjes së Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019/21 si dhe raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2017.

Në takimin e sotëm të ekzekutivit të Komunës së Podujevës, të cilin e udhëhoqi kryetari Agim Veliu, u diskutua për përgatitjen e Kornizës Afatmesme Buxhetore 2019/21 (KAB) në bazë të Qarkores Buxhetore 2019/01 si dhe të gjeturat e raportit të Auditorit të Përgjithshëm.

Lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2019/21 anëtarët e ekzekutivit i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, duke kërkuar nga ata të përgatisin propozimet dhe planifikimet për këtë dokument.

Kryetari Veliu kërkoi nga drejtorët angazhim në respektimin e dinamikës së përgatitjes së këtij dokumenti strategjik për Komunën në përputhje me afatet e përcaktuara.

Në takim u potencua se në kuadër të ecurisë së përgatitjeve të Kornizës Afatmesme Buxhetore, është bërë orari i dëgjimeve publike, në mënyrë që të përfshihen kërkesat dhe propozimet e qytetarëve për projekte dhe investime në fusha të ndryshme.

Në takimin e Këshillit të Drejtorëve u shqyrtua edhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2017.

Duke iu referuar këtij raporti, kryetari Veliu tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Podujevës për vitin 2017 është i pakualifikuar me theksim të çështjes, pra është opinion pozitiv.

Në takim u tha se do të hartohet një plan i veprimit për plotësimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të Auditorit të Përgjithshëm./Llapi.info