Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, priti sot në takim përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), Faton Kelmendin – menaxher i projektit “Kosova e Bukur II” dhe Kreshnik Rracin – arkitekt projektues.
Në takimin e kryetarit të Komunës, Agim Veliu me përfaqësuesit e IOM-it, u bisedua për projektin e renovimit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, implementues i së cilit është IOM.
Komuna e Podujevës nga programi i Bashkimit Evropian “Kosova e Bukur II” ka përfituar projektin për rregullimin e oborrit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, në vlerë prej 118,541.61 euro, ndërsa Komuna participon me 14 për qind, nga vlera e përgjithshme e projektit.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe Avni Fetahu-drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik dhe Nexhmi Rudari-drejtor i Arsimit, u bisedua për dinamikën e realizmit të projektit.
Kryetari Veliu e vlerësoi të rëndësishëm këtë projekt, pasi me realizimin e tij krijohen kushte të mira dhe ambient i përshtatshëm, që do të ndikojë edhe në efikasitetin në mësim.
Projekti ka të bëjë me rregullimin e oborrit të shkollës, rrethojës, terrenit sportiv, ndriçimit edhe një parkingu funksional për nevojat e shkollës.
Përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim ( IOM ) që është edhe implementuese e projektit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, thanë se tash janë në fazën e tenderimit dhe sapo të përfundojnë këto procedura të fillohet me punime. Gjatë realizimit të këtij projekti pritet të punësohen 40 persona.