Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka inicuar procedurë disiplinore për mësimdhënësen nga Podujeva, Arta Sadikun, e cila ishte administruese e Provimit të Maturës në Mitrovicë, njofton kumtesa nga MAShT, transmeton Llapi.info.
“Komisioni i Maturës Shtetërore është i përkushtuar për zbatimin e plotë të rregullave të administrimit të Provimit të Maturës Shtetërore, ndërsa po bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës, e cila po i zhvillon procedurat hetimore ndaj të gjithë atyre që kanë abuzuar me këtë proces me qëllim të përfitimit dhe komprometimit të tij.”- thuhet në kumtesën e MAShT-it
Përpos Arta Sadikut KShM-ja ka inicuar procedurë disiplinore edhe për 5 administrues së tjerë të cilët janë :
1.Rifat Demaku – mësimdhënës nga Drenasi (administrues në Malishevë)
2. Fixhrije Salihu – mësimdhënëse nga Prishtina (administruese në Pejë)
3. Xhemajl Behluli – mësimdhënës nga Gjilani (administrues në Lipjan)
4. Idriz Ugraj – mësimdhënës nga Suhareka (administrues në Viti)
5. Adil Krasniqi – mësimdhënës nga Prishtina (administrues në Fushë Kosovë).
Përpos administruesve, Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), i ka identifikuar një numër të maturantëve që kanë shkelur rregullat e Provimit të Maturës Shtetërore, duke përdorur telefona celularë, apo mënyra tjera kopjimi dhe ka marrë masa ndaj tyre.
KShM njofton se një numër tjetër i maturantëve tashmë të identifikuar, kanë abuzuar me rregullat e testimit duke komunikuar në rrjetet sociale me individë dhe grupe të caktuara me qëllim kopjimi. Pas identifikimit të tyre janë mësuar emrat, adresat dhe qendrat e tyre si dhe emrat e administruesve dhe klasat ku kanë administruar ata.
Të gjithë maturantëve që i kanë shkelur rregullat e Testit të Maturës, për një vit u ndalohet hyrja në testin e maturës, kurse ndaj administruesve që nuk i kanë zbatuar rregullat apo shkelur ato, është iniciuar procedurë disiplinore siç e përcakton Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore.
Komisioni Disiplinor në MAShT është duke i analizuar dhe proceduar edhe rastet tjera të identifikuara. KShM zotohet se asnjë rast i shkeljeve të faktuara nuk do të mbetet i pandëshkuar siç e përcakton ligji./Llapi.info