Asgjë nuk ngjante sikur pak ditë më parë, në pikën kufitare në Merdar.

Gjithçka dukej ndryshe në “Portën 3”, që gjendet në lindje të Podujevës, rreth gjashtë kilometra larg qytetit.

“Porta e ferrit” që u bë për disa familje shqiptare, këtë fundjavë nuk mund të quhej më e tillë. Daljet masive nëpërmjet kësaj pike tashmë kanë pushuar. Edhe puna e policëve është shumë më komode, shkruan sot Koha Ditore.

Objektet montazh dykatëshe që gjenden në anën e djathtë të rrugës shërbejnë si zyrë për Policinë Kufitare në Merdar. Ndërsa në të majtë të rrugës është objekti i Doganës së Kosovës.

Pak metra larg tyre janë edhe policia serbe. Pas marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, policët e të dyja vendeve kanë vendosur objektet shumë afër njëra-tjetrës, përcjell koha.net. Por, komunikimi ndërmjet tyre mungon. Secila palë interesohet vetëm për pjesën që e menaxhon.