Foto: Llapi.info

Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Podujevës kanë hedhur një varg kritikash ndaj qeverisë komunale, në pikën kur po diskutohej raporti financiar janar-qershor, njofton Llapi.info.

Këshilltarët opozitarë kanë akuzuar komunarët se po e keqpërdorin dhe po e keqmenaxhojnë paranë publike, pasi që sipas tyre, për këtë periudhë janë shpenzuar vetëm 14 për qind të mjeteve për investime kapitale.

Ky trend, sipas opozitarëve, mund të dyfishojë suficitin buxhetor nga viti 2018, kur kishin mbetur të pashpenzuara rreth 2 milionë euro nga kjo kategori.

Doruntina Hasani nga LVV, ka thënë se për këtë periudhë Komuna e Podujevës ka harxhuar 41 mijë e 809 euro për vendime gjyqësore. Ajo i ka pyetur komunarët pse janë detyruar të paguajnë një shumë aq të madhe, por që nuk ka marrë përgjigje.

“Raporti financiar për periudhën janar-qershor 2019, është tejet jo profesional dhe ky raport vërteton fjalët e keq-menaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit të qytetarëve. Taksat e qytetarëve të Podujevës po vazhdojnë të keq-menaxhohen çdo ditë. 6 milionë e 701 mije e 304 euro sa ishin planifikuara të shpenzoheshin në investime kapitale gjatë 2019-ës, për 6 muaj janë investuar vetëm 978 mijë e 585 euro dhe që në përqindje i bie vetëm 14%”, ka deklaruar Hasani.

“Tek mallrat dhe shërbimet edhe pse në vitin 2019 ka planifikim 254 mijë euro me shumë në krahasim me 2018, trendi i shpenzimeve në këtë sektor nga 2 milion e 178 mijë 773 euro janë shpenzuar vetëm 553 mijë e 603 euro, pra janë 25% e mallrave dhe shpenzimeve. Edhe kjo pjesë tregon keqmenaxhim. Gjatë këtyre 6 muajve vërejmë se nuk është investuar në asnjë objekt sportiv, e asgjë nuk është bëre për bibliotekën e qytetit edhe pse qëndron e mbyllur qe 1 vit. Tek vendimet gjyqësore janë 41mije e 809 euro të shpenzuara, pse si komune po jeni të detyruar të paguani shuma aq të mëdha?”, është shprehur ajo.

Se që është shpenzuar jashtëzakonisht pak për investime kapitale e ka thënë edhe këshilltarja e LDK-së, Valbona Kadriu.

“Nuk është e kënaqshme shuma për investime kapitale, por shpresojmë që të rriten këto investime”, ka thënë Kadriu, por pavarësisht kritikave e ka mbështetur këtë raport.

Kritika për mënyrën e orientimit të buxhetit ka dhënë edhe Bashkim Syla në emër të grupit të PDK-së. Sipas këtij të fundit, nëse vazhdohet kështu për këtë kategori do të ketë mungesë të investimeve sikurse në vitin paraprak.

“Shqetësimi tjetër është realizimi i shpenzimeve kapitale. Vlera e planifikuar për shpenzimet Kapitale për këtë vit është 6,701,304 euro, kurse për 6 muajt e parë janë shpenzuar 978,585 euro ose rreth 14.6% e totalit. Në tre mujorin e parë janë shpenzuar 219,658 euro rreth 3.2% e totalit. Nëse qeverisja aktuale vazhdon me këtë trend të realizimit të projekteve kapitale, fatkeqësisht do të na përsëritet viti 2018, ku vetëm 68% të planifikimeve janë realizuar. Mendojmë që Komuna jonë ka shumë nevojë për investime kapitale saqë këto planifikime do të duheshin të realizoheshin 100 për qind”, ka deklaruar Syla.

Ndryshe, kjo pikë e rendit të ditës me shumicë votash të pozitës është miratuar, teksa informatën për këtë pikë e ka dhënë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

Latifi ka thënë se shpenzimet e buxhetit për periudhën janar-qershor kanë arritur shumën prej 7,737,976 euro. Prej tyre, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 5,960,798 euro, për mallra dhe shërbime 553,603 euro, shpenzime komunale 162, 660 euro, subvencione dhe transfere 83,330 euro dhe për investime kapitale janë shpenzuar 978,585 euro./Llapi.info