Me të afruar fundi i numërimit të votave të diasporës, në LDK insistohej nga disa prej anëtarëve të Kryesisë për orkestrimin e një “skeme të organizuar kriminale” brenda partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.
Në vazhdën e komunikimeve të brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, më 2 mars 2025, këtë herë në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku, Kujtim Shala dhe bashkëpartiaku i tij Arben Gashi, zhvilluan mes vete një komunikim “goxha të nxehtë”.
Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”. Gazeta Online Reporteri.net i ka siguruar këto komunikime të brendshme.