Kryetar i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu ka thënë se kuksianët janë shumë të irrituar për tarifën që do vendoset në Rrugën e Kombit, e cila përflitet të jetë 1.5 euro dhe konsiderohet e papranueshme, duke nxitur protestën e radhës.
Ai per gazetën “Shekulli” sqaron se nga biseda që ka bërë me banorët, taksa nuk ka shanse të pranohet, pasi i rëndon shumë ekonomikisht, por mbi të gjitha ndihen të diskriminuar me sjelljen e qeverisë ndaj tyre.
“Përflitet që do vendoset një taksë me çmimin prej 1.5 euro, por ende nuk ka diçka zyrtare të prodhuar nga qeveria për këtë taksë. Të them të drejtën, kuksianët janë shumë të revoltuar, pasi i kam takuar nga afër dhe më thonë, se: “kjo taksë është e papranueshme dhe nuk ka shanse të pranohet”. Pavarësisht, se këto thonë se taksa do jetë 1.5 euro, nëse e llogarit për 365 ditë të vitit i bie shumë lekë për një njeri. Rëndon më shumë psikologjikisht, sepse njerëzit e vuajnë edhe mosvlerësimin nga ana e qeverisë”, ka deklaruar ai, transmeton Klan Kosova