Ende s’ka përfunduar në tërësi vendosja e kamerave të sigurisë në qytetin e Podujevës, projekt në të cilin janë shpenzuar mbi 100 mijë euro, njofton Llapi.info.
Përderisa s’është finalizuar vendosja e tyre, kundërshtime ka në lokacionet të cilat janë paraparë vendosja e tyre, madje kjo ka ardhur edhe nga këshilltarë komunalë.
Të papranueshme e ka quajtur LVV në këtë komunë caktimin e një pike për vendosjen e kamerës së sigurisë. Sipas këshilltarit të kësaj partie, Bajram Ajeti është paraparë vendosja e një shtylle edhe në rrethrrotullimin ku qëndron përmendorja e shqiponjës, simbol i vendosur në këtë qytet që për ide e kishte dhënë këshilltari i VV-së, Florent Hasani. E që vendoset aty, VV ka paralajmëruar edhe protesta.
“E kemi marrë një informatë se shefi i Urbanizmit ka paraparë që në rrethrrotullimin e shqiponjës afër hotelit ‘Besiana’ të vendoset një shtyllë afër saj për kamerat e sigurisë. Ju kisha lutur ajo të mos vendoset në rrethrrotullimin e shqiponjës. Ju kisha lutur që të mos prekni aty, sepse do të përballeni edhe me protesta. Ka mundësi të vendoset diku tjetër ajo shtyllë, por jo në rrethrrotullim të shqiponjës”, ka thënë në një seancë, Bajram Ajeti.
Mirëpo, zyrtarët komunalë i kanë mohuar aludimet se komuna i cakton vendet për t’u ngjitur kamerat e sigurisë. Sipas zëdhënësit të Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, caktimi i vendit bëhet nga Policia e Podujevës. Elezi për Llapi.info ka thënë se ky projekt i ka kushtuar Komunës 100,483.20 euro.
“Projekti i vendosjes së kamerave të sigurisë në qytet është duke u finalizuar dhe pritet të përfundojë sipas planit dinamik, të përcaktuar me kontratë. Caktimi i vendeve – pikave për vendosjen e kamerave është bërë kryesisht nga Policia e Kosovës- Stacionin Policor në Podujevë. Ndërsa Komuna ka dhënë kontributin e vet me këshillat në fushën e Teknologjisë Informative dhe çështje të tjera”, ka thënë Elezi.
Por, për çudi ky projekt ende s’është dorëzuar në Stacionin e Policisë në Podujevë. Kështu të paktën ka thënë për Llapi.info komandanti i këtij stacioni, Bekim Zogiani.
“Ju njoftojmë se ky projekt financohet dhe është duke u implementuar nga Kuvendi Komunal në Podujevë dhe ende nuk është dorëzuar tek Policia”, ka thënë Zogiani në një përgjigje ditë më parë.
Policia dhe Komuna e Podujevës s’i kanë treguar pikat e vendosjes së tyre, e po ashtu edhe kur pritet të përfundojë ky projekt, ani pse i njëjti ka kohë që ka filluar.
Vendosja e kamerave ka për qëllim ngritjen e sigurisë në Podujevë dhe parandalimin e aktiviteteve të ndryshme kriminale. Ky vendim për vendosjen e tyre në Podujevë ishte marrë në një mbledhje të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB)./Llapi.info