Gjendet vetëm pak metra larg qendrës së Bashkësisë Islame të Kosovës në Podujevë, e veprimtaria e këtij institucioni lidhet ngushtë me atë BIK-ut.
Kjo shoqatë e ashtuquajtur “Burimi i Arsimit” kishte publikuar njoftime për kurse të mësimeve islame për të rinjtë e qytetit, raporton KTV.
Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim nga Komuna e Podujevës kanë thënë se kjo shoqatë nuk është e pajisur me leje për këtë veprimtari, derisa ishte përdorur edhe si konvikt, por pa leje.
“Objekti në fjalë vepron në kuadër të një Organizate Joqeveritare, derisa ideja fillestare e pronarit ka qenë që objekti të përdoret edhe si konvikt, por asnjëherë i njëjti nuk është pajisur me leje të tillë. Për herë të fundit udhëheqësi i OJQ-së në fjalë ka aplikuar në Komunën e Podujevës, për leje që të ofrojë kurse për të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare, mirëpo kjo leje nuk i është lëshuar. Pra, nuk kanë asnjë leje”, ka thënë Nazmi Elezi, shef i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës.
Kritika për veprimtarinë e shoqatës kanë edhe nga zyra qendrore e BIK-ut në Podujevë.
Sipas tyre, e drejta për ligjërime fetare duhet t’iu takojë institucioneve që bashkëpunojnë me Bashkësinë Islame dhe jo organizatave të ndryshme.
Derisa të dyshimtë veprimtarinë e kësaj organizate e cilëson edhe rrjeti i OJQ-ve në Podujevë.
“Jemi kundër që një institucion fetar të veprojë ilegalisht pasi mendojmë se përgjegjëse për jetën fetare në Komunën e Podujevës është Këshilli i Bashkësisë Islame dhe çdo tendencë që jashtë Bashkësisë Islame të flitet për çështje fetare, duke keqpërdorur fëmijët, duhet të ndalohet menjëherë dhe të hetohet prapavija e kësaj tendence”, ka thënë Shemsi Jashari – Drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave Joqeveritare
Drejtori i këtij instituti nuk ka pranuar të prononcohet para kamerave derisa mbrapa tyre i ka thënë televizionit se lejen e kanë siguruar nga Ministria e Administratës Publike dhe se për veprimtarinë e tyre nuk kanë nevojë për leje, as nga komuna, e as nga BIK-u.
Tutje, nga kjo organizatë, i kanë thënë televizionit se aktualisht e kanë ndërprerë çdo aktivitet, derisa kanë shtuar se financimi dhe udhëheqja e kësaj organizate bëhet nga një shtetas turk.