Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në kuadër të vizitës së tij në Sarajevë, ka vizituar konsullatën e nderit të Shqipërisë si dhe shoqatën e bashkatdhetarëve, ku u prit nga konsulli i nderit, Muharrem Zejnullahu.
Kurti aty ka prezantuar orientimin dhe qëndrimet e VV-së për zhvillimet politike e socio-ekonomike në Kosovë.
I pari i VV-së, ka thënë se sa më parë qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjës të lëvizin lirshëm.
“Është absurde që Kosova i vendos masat e reciprocitetit B&H duke vënë regjim vizash për Bosnjën (gjë që godet vetëm boshnjakët e shqiptarët me pasaportë të B&H dhe jo serbët e B&H), e nuk e bën këtë karshi Serbisë. Për më tepër, nga rreth 50 biznese të B&H që operojnë në Kosovë, mbi 90% janë nga Republika Serbe”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i tij në facebook:
Gjatë qëndrimit në Sarajevë, vizitova Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë që është partner me Universitetin e Buckingham-it. Aty prezantova orientimin dhe qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s për zhvillimet politike dhe gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, për bashkëpunimin e shqiptarëve dhe boshnjakëve etj. Pasoi diskutimi interesant me profesorë të shquar të shkencave politike dhe historisë. Në fund takova edhe rektorin dhe themeluesin e këtij universiteti, z.Ejup Ganiq, ish nënkryetarin e kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe dorën e djathtë të kryetarit të parë, z.Alija Izetbegoviq.
Në vijim, vizitova Konsullatën e Nderit të Shqipërisë si dhe shoqatën e bashkatdhetarëve tanë, ku u prita nga konsulli i nderit z.Muharrem Zejnullahu dhe rreth 30 qytetarë tanë që jetojnë dhe punojnë në Bosnje dhe Hercegovinë (B&H), kryesisht në Sarajevë.
Pritja e ngrohtë dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për një sërë çështjesh shqetësuese atje por edhe në Kosovë ishin fokus i bashkëbisedimit me bashkatdhetarët.
Ishte konstatim i përbashkët për domosdoshmërinë që sa më parë qytetarët e Kosovës dhe të B&H të lëvizin lirshëm dhe pa ngarkesat e paarsyeshme – shpeshherë edhe të patejkalueshme – që ekzistojnë aktualisht. U njoftova në hollësi për pengesat e mëdha në tërë këtë proces mjaft të ndjeshëm për qytetarët tanë atje.
Është absurde që Kosova i vendos masat e reciprocitetit B&H duke vënë regjim vizash për Bosnjën (gjë që godet vetëm boshnjakët e shqiptarët me pasaportë të B&H dhe jo serbët e B&H), e nuk e bën këtë karshi Serbisë. Për më tepër, nga rreth 50 biznese të B&H që operojnë në Kosovë, mbi 90% janë nga Republika Serbe.
Bashkatdhetarët tanë janë një pasuri shumë e çmueshme për të dy vendet tona. Ne kemi dëshmorë tanë në B&H gjë që tregon se shqiptarët e mbrojnë vendin dhe lirinë kudo që jetojnë. Institucionet përgjegjëse në Kosovë e Shqipëri duhet të rrisin përkrahjen për bashkatdhetarët tanë.
U bisedua edhe për iniciativën rreth binjakëzimit të mundshëm të qyteteve të Kosovës dhe B&H drejt shkëmbimit sa më të madh kulturor e shoqëror në mes dy vendeve.
Me bashkëkombësit tanë në Sarajevë, vizitova edhe Bash Çarshinë e famshme të Sarajevës duke vizituar disa monumente historike si dhe biznese e zeje tradicionale të njohura.
Një takim të afërt zhvillova edhe me themeluesit e grupimit mjekësor “Familja dhe Shëndeti”, Dr.Ismail Lutolli dhe Dr.Shpresa Ramadani, grupim i cili përfshin mbi 120 mjekë specialistë nga të gjitha trojet shqiptare.