Është anuluar Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Bosnjë dhe Hercegovinë. Kjo ka ndodhur pasi, ministrat nga ‘Republika Srpska’ kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë samit.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha për RTKlive se samiti tashmë është anuluar.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej në datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, ka theksuar ai.

Por, Kryeziu ka thënë se kryeminisrti Kurti do të bëjë disa takime në Sarajevë.

“Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politik, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti po viziton BeH-në me ftesë të Adil Kulenoviqit, kryetar i organizatës joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”.

ndërsa, nënkryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stasha Kosharac, ka theksuar se ministrat nga ‘Republika Srpska’ nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Këshillit të Ministrave, për shkak të mbërritjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Sarajevë.