Është duke vazhduar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi. Me këtë rast, në fjalën e tij kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë po bëhet jo që Kosova të marrë ulëse në OKB, sepse ajo gjë është në dorë të Rusisë por që Serbia të marrë ulëse në BE pasi kjo gjë është në duart e shqiptarëve.
“Ne kemi qenë të varur nga Serbia por tani është Serbia ajo që varet prej nesh. Varësia e Serbisë nga Kosova ka të bëjë me varësinë nga Presheva, Bujanoci si dhe kapitujt tjerë që kanë të bëjnë më drejtësinë, lirinë e sigurinë. Ne kemi tri dilema në raport me Serbinë, procesi i anëtarësimit të saj në BE e që varet prej nesh e që s’guxojmë të humbim, tregu gjysmë milionë euro në Kosovë dhe e treta është reciprociteti të drejtave në Kosovë dhe Serbi kur dihet se ka më shumë shqiptarë në Serbi se sa ka serb në Kosovë”, ka thënë Kurti, transmeton Indeksonline.
Kurti ka deklaruar poashtu se serbët tashmë e duan një Zajednicë pak të ndryshuar. I pari i Vetëvendosjes ka deklaruar po ashtu se rezultati kryesor i dialogut të deritanishëm ishte Lista Serbe.
“Rezultati kryesor i dialogut të deritanishëm ishte Lista Serbe. Qëllimi i dialogut duket të ketë qenë vetë dialogu dhe këtë e vërteton fakti se është vrapuar pas marrëveshjeve të reja pa zbatim të marrëveshje të vjetra. Kur t’i sheh se ato aktuale nuk po zbatohen dhe pavarësisht kësaj vazhdohen marrëveshjet e reja ti e sheh se dialogu është qëllim”, ka përfunduar Kurti.