Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me presidenten në detyrë Vjosa Osmani, gjatë ditës kanë zhvilluar një debat me studentët e Komunës së Lipjanit. Kurti me këtë rast u ka premtuar studentëve se do të jenë të barabartë nëpër konkurse të ndryshme pasi që siç tha ai deri tash punësimet janë bërë mbi bazë të ngjyrimeve politike e familjare.

Sipas Kurtit zgjedhjet e 14 shkurti nuk janë edhe një palë zgjedhje, por këto zgjedhje janë referendumi i parë ne Kosovë sepse ky referendum e bënë pjesëmarrjen masive të qytetarëve.

“Si student që jeni konsiderojmë se janë dy gjëra themelore dhe të rëndësishme për të ardhmen. Punësimi dhe banimi. Studentët vuajnë se arsimimi profesional nuk është i lidhur me tregun punës, por ne do ta bëjmë këtë. Nuk do të lejojmë kandidati për një pozitë pune t’i ketë pyetjet një ditë më parë”, ka thënë midis të tjerash Kurti.

Ai ka shtuar se në zgjedhjet e kaluara ka pasur dilema nga qytetarët se a duhet ta votojnë Vjosa Osmanin apo Albin Kurtin, por tash ato dilema nuk janë sepse këta dy lider janë bashkuar.

Ndërkaq, Osmani, ka thënë se studentët për çdo ditë po përballen me telashe të ndryshme dhe pas përfundimit kanë vështirësi të punësohen.

“Mendoni që secili prej jush që kjo kauzë e përbashkët të jetësohet dhe mund te jep diçka dhe të arrijmë ta kemi një shtet me mundësi të barabarta”, ka thënë midis të tjerash Osmani.

Ndërkohë, gjatë debatit ka pasur edhe pyetje të ndryshme nga studentët të cilat kryesisht kishin të bëjnë për mungesë të vendeve të punës.