Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja e kësaj partie për presidente, Vjosa Osmani, sot kanë mbajtur takim me simpatizantë në Mitrovicë.

Kurti tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të jetë bindëse, sikurse në zgjedhjet e parakohshme në Podujevë, pak muaj më parë. Kurti u premtoi mitrovicasve se qeveria e udhëhequr nga ai, nëse vjen në pushtet, do të punojë si asnjë më parë.

“Fitorja e 14 shkurtit duhet të jetë por sikur në Llap, pra pa balotazh, mbi 61 deputetë në mënyrë që t’i bëjmë reformat e shumëfishta me qeveri stabile e shumicë parlamentare e dalë nga shumica gjithëpopullore. Qytetarët e Mitrovicës do i falënderojmë për mbështetjen që na e kanë dhënë vazhdimisht, e ne si qeveri kurrë nuk do i harrojmë ata, do t’i ndihmojmë si asnjë qeveri tjetër e pasluftës”, u shpreh Kurti në sheshin e qytetit.

E numri dy në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani tha se pavarësisht kushteve klimatike nuk ka kush e ndal vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Tubimi në Mitrovicë u mbajt teksa po binte shi.

“Mitrovica do të jetë pishtare e ndryshimeve, ashtu siç ka qenë në të kaluarën”, tha Osmani, që po ashtu vjen nga Mitrovica.