Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngushëlluar familjes Haradinaj, për vdekjen e Hilmi Haradinajt, babait të kryeministrit.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur Hilmi Haradinajn, babain e dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.
Postimi i Kurtit:
“Me pikëllim mësuam për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi Haradinaj, babait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj.
Për breza me radhë, trevat shqiptare kanë formësuar dhe kalitur prindër të urtë e të fortë, të cilët qëllim parësor kishin rritjen dhe brumosjen e fëmijëve të tyre në frymën e lirisë dhe atdhedashurisë.
Janë brezat e odave, të fjalës e besës, të parmendës e pushkës, të cilët kishin të rrënjosur thellë dashurinë ndaj tokës e kombit dhe qëndresën në luftën për liri e bashkim.
I tillë ishte Hilmi Haradinaj, i cili luftës për çlirimin e Kosovës ia dha katër gjeneralë e dy dëshmorë.
Me rastin e lajmit për vdekjen e bacës Hilmi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve e të afërmëve, gjithë trevës së Dukagjinit e më gjerë.