Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën u prit në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Nikoqir i tij ishte sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg.

“Ne kemi një vizion të qartë ne po kërkojmë anëtarësimin në NATO, kjo do na mundësonte që ne të japim atë që akoma e ofrojnë kombet që e duan demokracinë për vendin e qytetarët tanë. Kështu që hyrja e Kosovës në partneritet për paqe është një hap i madh”, theksoi Albin Kurti.

Por më shumë se për këtë vizion takimi Kurti-Stoltenberg u përqendrua te ulja e tensioneve në veri të vendit në kufij me Serbinë. Kurti, akuzon Beogradin se po luan rol nxitës e po dirigjohet nga Rusia.

“Në njërën anë kemi policinë profesionale të Republikës së Kosovës, kurse në anën tjetër strukturat ilegale të Serbisë, që janë shndërruar në banda kriminale e të cilat vendosin barrikada, 9 nga 13 prej tyre u vendosën brenda 10 minutash. Vetëm në këtë kuptim mund të flitet për dy palë”.

Mysafiri nga Prishtina, shtoi se i mbetet besnik planit për reciprocitet me dokumente me Serbinë, e heqjen e targave ilegale KM me konvertim në RKS.

“Ne do vazhdojmë me fushatën informuese për këtë çështje. Për më tepër vetë Serbia është pajtuar se që nga janari 2018 s’lëshon më këso targa dhe kanë treguar se s’do t’i shtyjnë serbët t’i përdorin ato. Kështu që, katër vjet pas, ne po zbatojmë diçka që është në pajtim me kushtetutën e ligjin tonë por edhe në pajtim me ujdinë e Serbisë në dialogun e Brukselit për obligimin e tyre”, përfundoi Kurti.

Sikur me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, më parë, ashtu edhe me Kurtin, sekretari i NATO-s tregoi se janë gati të intervenojnë nëse stabiliteti rrezikohet.

Stoltenberg tregoi se afër 4 mijë trupa të KFOR-it në Kosovë, janë garanci për vendin, ku janë prezentë për krejt Ballkanin Perëndimor.

Konferenca 22 minuta është ndër të rrallat që një kryeministër kosovar e një lider i aleancës e kanë mbajtur në Bruksel.