Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ekipin e tij në Bruksel janë pritur në takim nga Paolo Gentiloni, Komisioner i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti theksoi në takim se Republika e Kosovës ka mirëpritur paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi, dhe domosdoshmërinë për angazhim serioz për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara. Kryeministri theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike, duke u kujdesur njëkohësisht për ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar më së shumti nga pasojat e pandemisë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Kurti prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik, duke përfshirë rininë e talentuar dhe shpirtin ndërmarrës të mërgatës.

Tutje bëhet e ditur se ai e njoftoi komisionerin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin dixhital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

“Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë”, citohet të ketë thënë Kurti.