Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se javën e ardhshme do të mbërrijnë në Kosovë një pjesë nga 95 mijë vaksinat e premtuara nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Kurti, në një paraqitje direkte nga Brukseli në KTV ka deklaruar se aktualisht nuk ka informata se sa vaksina do të vijnë saktë në javën e parë të muajit maj.

“Ato të kontingjentit të parë janë harxhuar por kontingjenti i radhës, do të vijë një pjesë e tyre në javën e ardhshme. Ky është një lajm i mirë për Kosovën mirëpo ne kemi nevojë edhe për më tepër vaksina në mënyrë që në fund të qershorit të vijë mërgata jonë në vendlindje”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, deri në fund të këtij viti, Kosova do të arrijë të vaksinojë 60% të popullatës.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar nga mesi i këtij muaji se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.