Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe një herë ka përmendur deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh me Serbinë.
Ka thënë se një marrëveshje për korrigjim kufijsh tashmë Thaçi vetëm e ka bërë, por se nuk ka korrigjim. Atë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të këtij viti bashkërisht me Vujanoviqin, dolën me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, raporton Koha.net.
Të dy presidentët u patën bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në gushtin e vitit 2015.
“Presidenti Thaçi tha se synon korrigjim kufiri me Serbinë, duke shtuar se marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për ta arritur. Mirëpo, ky njeri tashmë ka bërë një marrëveshje për korrigjim kufiri, madje sivjet: të gjithëve na kujtohet Deklarata e përbashkët Thaçi – Vujanoviq për korrigjim kufiri me Malin e Zi, e datës 16 shkurt 2018. Pra, marrëveshje ka, bile të nënshkruar, por korrigjim nuk ka! Ky gjysmë President është fund e krye qesharak, përveç në pasojat e tij që mandej i vuajmë ne”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke ia bashkëngjitur edhe një citat të shkurtër të shkrimtarit Faik Konica. “Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk”.