Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka qenë prezent në hapjen e fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, njofton Llapi.info.

Më këtë rast, i pari i ekzekutivit ka thënë se “sot po e fillojmë fushatën zgjedhore që i zgjedhuri ynë, profesor Shpejtim Bulliqi, të dielën e 15 marsit të bëhet edhe i zgjedhuri i gjithë qytetarëve të Komunës”.

Kurti tha se vetëm me një muaj qeverisje, kanë marrë vendime të rëndësishme, ku siç tha ai kanë ndaluar abuzimin me paranë publike, duke zvogëluar pushtetin dhe privilegjet, dhe duke ndaluar kontratat e dëmshme.

“Në shtator të vitit të kaluar, kur ishim këtu së bashku për një palë zgjedhje të tjera, ju kërkova që të bëhemi bashkë për ndryshimin, ju kërkova që të besojmë në vlera dhe parime si parakusht për ndryshimin e vërtetë. Sot ky ndryshim ka filluar të bëhet realitet. Vetëm në një muaj qeverisje ne kemi marrë vendime të rëndësishme. Kemi ndaluar abuzimin me paranë publike, duke zvogëluar pushtetin dhe privilegjet, por edhe duke ndalur kontratat e dëmshme”, ka thënë  Kurti.

Më tej ai deklaroi se po e ndalin keqmenaxhimin në ndërmarrje publike përmes bordeve të tyre politike.

“Ky është vetëm fillimi, sepse shumë vendime e veprime të tjera na presin këtë vit, të cilat do të rimëkëmbin ekonominë dhe do të nxisin punësimin. Natyrisht që këto veprime e vendime i kemi marrë e do t’i marrim në bashkëpunim e bashkëqeverisje me LDK-në. Unë sot këtu jam në një rol tjetër, ndryshe nga viti i kaluar, unë tash jam edhe kryeministër i vendit dhe jo vetëm kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë ka diçka të përbashkët e të njëjtë, ashtu sikur vitin e kaluar që kemi kërkuar ndryshim në drejtimin e Qeverisë, sot po kërkojmë ndryshim në drejtimin e Komunës e Besianës”, është shprehur Kurti.

Ai bëri thirrje të votohet Shpejtim Bulliqi për kryetar të Podujevës.

“Shpejtim Bulliqi nuk i lëshon pe asaj që është e mbrapsht dhe e padrejtë. Ky është një shkencëtar i cili e mbron vendin tonë, i cili e mbron shtetin tonë. Andaj unë preferoj të flas për Shpejtim Bulliqin, për të cilin kam vlerësim të lartë dhe nuk jam këtu për të treguar kënd të mos e votoni, por për t’ju kërkuar të votoni profesor Shpejtim Bulliqin”, tha ai./Llapi.info

Lëvizja Vetëvendosje hap fushatën në Podujevë

Gepostet von Llapi.info am Dienstag, 3. März 2020