Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Podujevës, në të cilin morën pjesë kandidati për kryeministër Albin Kurti, kandidatë për deputetë, mysafirë të tjerë dhe qindra simpatizantë, raporton Llapi.info.

Në tubimin e mbajtur sot në sheshin e Podujevës, Kurti deklaroi se janë në qytetin e dijes, sportit dhe kulturës.

Tutje, lideri i kësaj partie tha se Kosovës i erdhi dita të shpëtojë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit.

Kurti në këtë tubim përpara llapjanëve shtoi se vetëm me Lëvizja Vetëvendosje është garanci për ndryshim.

“Gara në këtë zgjedhje kurrë s’ka qenë më e qartë, sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar, e të tjerë që frikësojnë, e kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën. Ne kurrë nuk do të mund të luftojmë korrupsionin dhe kapjen e shtetit, me ata që luten e tuten. Vetëm Lëvizja Vetëvendosje është garanci për ndryshim, vetëm fitorja e VV-së do ta dërgojë PDK-në në opozitë e të tjerët edhe sikur të mund të fitonin do ta lusin se i tuten. VV pas fitores me 6 tetor do të qeverisë me gomë dhe laps, do të qeverisim me gomë sepse do ta fshijmë korrupsionin dhe do të qeverisim me laps sepse do ta zhvillojmë vendin. Këto qeverisje të pasluftës s’kanë qeverisur as me gomë dhe laps, por me lëpirëse. Ne do të qeverisim edhe me gomë dhe laps”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje mban tubim në Podujevë

Gepostet von Llapi.info am Samstag, 28. September 2019

Më tej, i pari i Vetëvendosjes ka përmendur edhe problemin me shkallën e lartë të ikjeve nga Kosova nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Vendi ynë sot është vend i korrupsionit në Qeveri, e mjerimit në popullsi. Shtet i luksit të qeveritarëve dhe rreshtit të qytetarëve për viza përpara ambasadave të huaja. Këta që po i mbushin autobusët për t’i mbushur sallat ka diçka që s’mund ta mbushin e që s’e kanë mbushur kurrë, ai është barku i thatë i të varfërve. Mbi 18 për qind e popullsisë më shpesh se çdo i gjashti qytetarë janë të varfër, mbi 30 për qind të papunë e afër 350 mijë na kanë ikur nga skamja e diskriminimi pas shpalljes së Pavarësisë”, ka deklaruar Kurti.


Kurti tha se tani më afër se kurrë duhet të ndodh ndryshimi, që sipas tij, nuk duhet lëshuar në këtë kohë.

“Le të shkojnë e t’ua lypin besën atyre e t’u tregojnë pse i kanë sjellë në këtë gjendje për 20 vite. Ata e dinë se çfarë duhet të ndodh në Kosovë, në rrudhat e ballit e në flokët e thinjura të prindërve të tuaj e kuptoni se çfarë duhet të ndodh në Kosovë. Në duart e bujkut e punëtorit që punojnë me gjak dhe djersë gjithë ditën e gjithë muajin, e prapë nuk mund t’i ushqejnë mirë fëmijët, do ta kuptoni se çfarë duhet të ndodh në Kosovë. Mjaft më me gënjeshtra e me mashtrime. Tash kur ndryshimin e kemi kaq afër, është mëkat, gjynah dhe pafalshme të na lëmë të na ikë nga duart. Nuk bënë të harrojmë që ishin këta që po tallen me ju, që shiten dhe zhvatën pasurinë publike çdo vjet e çdo muaj të kësaj kohe paslufte dhe pas pavarësisë. Këta që shëndetin e qytetarëve e kthyen në biznes e edukimin në tender. Janë këta që në mëngjes shkojnë në gjykatë si të akuzuar për korrupsion, e pasdite punojnë kinse si zyrtarë të lartë. Nuk bëjnë të harrojmë se më kënd kemi punë, nuk bënë të hutohemi për asnjë sekondë se kush janë ata që e sollën vendin në këtë gropë që s’po dalim dot”, ka thënë Kurti./Llapi.info

Lëvizja Vetëvendosje mban tubim në Podujevë

Gepostet von Llapi.info am Samstag, 28. September 2019