Lëvizja Vetëvendosje nën moton “Kundër PANhajnisë” ka mbajtur tubimin me qytetarë në Komunën e Podujevës për ta larguar nga pushteti Qeverinë Haradinaj, raporton Llapi.info
Me këtë rast, kreu i kësaj partie, Albin Kurti para qytetarëve llapjanë ka shtuar se brengat kryesore të qytetarëve të Kosovës janë papunësia, korrupsioni dhe nepotizmi.
“Kryeministrin dhe Presidentin e Kosovës i ndan taksa ndaj Serbisë, por i bashkon korrupsioni në Kosovë dhe ajo që i bashkon është më e fuqishme se ajo që i ndan. Pushteti në Kosovë është bërë rreziku më i madh i brendshëm për shtetin tonë. Nga jashtë Serbia dëshiron që t’i marrë territor e shtetësi Kosovës, mirëpo nga brenda pushtetarët vendas duan t’ia marrin pasurinë dhe buxhetin”, ka thënë ai.
Duke folur për korrupsionin, Kurti në këtë tubim ka shtuar se buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes është i ulët në krahasim me ministri të tjera. Sipas tij, ekonomia në vend është tkurrur.
“Ushtria e Kosovës ka mbetur në letër, për vitin 2019 buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes nuk është as 20 për qind e buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe as 10 për qind të subvencioneve e transfereve. Korrupsioni qeveritar është rritur, kurse ekonomia e vendit është tkurrur. Ky kryeministër realisht e ka vetëm një ministër, ministrin Palin (Pal Lekaj), i cili po palon për regjimin në fuqi milionat e popullit. Mirëpo, zgjedhjet e reja e palojnë PAN-in edhe Palin dhe e shpalosin vullnetin e popullit për ndryshime e përparim. Kryeministri e ka keqpërdorur ambasadën britanike në shpëlarjen e pjesëmarrjes së partisë së tij për kapjen e shtetit. Me këtë qeveri kapja e shtetit është rritur, është shtuar e nuk është zvogëluar”, është shprehur Kurti, raporton Llapi.info
Sipas tij, që të dilet nga kjo situatë, siç e ka quajtur Kurti i kapur nga pushteti, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Zgjedhjet e reja mundësojnë demokracinë për kohën e re, pa zaptim shteti nga pushteti. Kriza në Kosovë është kriza në ekonomi, nuk ka investime e ka emigrime. Kur ikë paraja ikun edhe njerëzit. Shtrohet pyetje pse po vjedhin kaq shumë? Besoj se po vjedhin kaq shumë se e dinë që ky është mandati i tyre i fundit. As Haradinaj nuk do të ketë mandat tjetër si kryeministër, e as Thaçi nuk do të ketë mandat tjetër si president. Këta janë në mandatin e tyre të fundit. E dinë se është mandati i fundit, prandaj edhe po vjedhin kaq shumë, por ne duhet t’ua shkurtojmë mandatin atyre. Kemi padrejtësi gjithkund, policët paguhen që t’i ndjekin hajnat e vegjël dhe t’i mbrojnë hajnat e mëdhenj. Me zgjedhje e Qeveri të re edhe kriminelët e fuqishëm do të dorëzohen para shtetit, e kurrë më shteti të jetë i dobët parapara kriminelëve. Ndodhemi midis dëshmorëve ndër varre e fëmijëve në djepa, shtetin e kemi më së shumti nga dëshmorët dhe shtetin duhet ta kemi më së pari për fëmijët. Për një shtet që i mirëmban idealet e dëshmorëve dhe realizon dëshirat për fëmijët, duhet të marrë fund PAN hajnia”, ka thënë Kurti./Llapi.info