Nën moton “Kundër PANhajnisë”, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin me qytetarët në Podujevë, duke kundërshtuar qeverisjen Haradinaj, njofton Llapi.info
Në këtë tubim, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kosova. Sipas Kurtit, korrupsioni ka shënuar rritje, ndërsa ekonomia ka shënuar rënie.
“Korrupsioni qeveritar është rritur, kurse ekonomia e vendit është tkurrur. Ky kryeministër realisht e ka vetëm një ministër, ministrin Palin (Pal Lekaj), i cili po palon për regjimin në fuqi milionat e popullit. Mirëpo, zgjedhjet e reja e palojnë PAN-in edhe Palin dhe e shpalosin vullnetin e popullit për ndryshime e përparim”, ka deklaruar Kurti.
Që të dilet nga kjo situatë, siç e ka quajtur Kurti të kapur nga pushteti, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Duke folur për brengat që sipas Kurtit ballafaqohen qytetarët, ka shtuar se duhet larguar qeverisjen aktuale. Kurti ka thënë se “…kemi padrejtësi gjithkund, policët paguhen që t’i ndjekin hajnat e vegjël dhe t’i mbrojnë hajnat e mëdhenj. Me zgjedhje e Qeveri të re edhe kriminelët e fuqishëm do të dorëzohen para shtetit, e kurrë më shteti të jetë i dobët parapara kriminelëve”.
“Kriza në Kosovë është kriza në ekonomi, nuk ka investime e ka emigrime. Kur ikë paraja ikun edhe njerëzit. Shtrohet pyetje pse po vjedhin kaq shumë? Besoj se po vjedhin kaq shumë se e dinë që ky është mandati i tyre i fundit. As Haradinaj nuk do të ketë mandat tjetër si kryeministër, e as Thaçi nuk do të ketë mandat tjetër si president. Këta janë në mandatin e tyre të fundit. E dinë se është mandati i fundit, prandaj edhe po vjedhin kaq shumë, por ne duhet t’ua shkurtojmë mandatin atyre. Kemi padrejtësi gjithkund, policët paguhen që t’i ndjekin hajnat e vegjël dhe t’i mbrojnë hajnat e mëdhenj. Me zgjedhje e Qeveri të re edhe kriminelët e fuqishëm do të dorëzohen para shtetit, e kurrë më shteti të jetë i dobët parapara kriminelëve”, ka thënë Kurti përpara qytetarëve llapjanë./Llapi.info