Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas përfundimit të tubimit me të rinjtë në Podujevë, është deklaruar për paralajmërimet e sotme për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, njofton Llapi.info.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se trupat amerikane nuk do të tërhiqen nga Kosova. Ai ka ritheksuar se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet.
“Nuk mendoj që KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova, përkundrazi nuk besojë që do tërhiqet. Kemi parë një dëshirë të djalit të presidentit Trump, por kjo nuk ka të bëjë me tarifën. Nëse ajo dëshirë bëhet vendim i Donald Trumpit kjo sërish nuk ka të bëjë më tarifën, por ka të bëjë më një reduktim të trupave që kanë bërë edhe në Afganistan edhe në Siri. Unë besoj që ShBA-të duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre në Kosovë; me ambasadë, me ekonomi, me kulturë dhe me mbrojtje”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur i bindur se heqja e taksës në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitet, është rruga e duhur.
“Jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitetin gradual. Jam i bindur që kjo është rruga e duhur dhe qëndrimi më racional dhe i dobishëm për vendin tonë”, ka thënë Kurti./Llapi.info