Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

Tanin citohet ta ketë përgëzuar Kurtin për fitoren e thellë në zgjedhje dhe për mandatin e fuqishëm që ka marrë në udhëheqje të Qeverisë.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, njoftohet se Tanin ka thënë që shpresat dhe kërkesat e qytetarëve janë të varura në prioritetet që Kurti ka shpalosur gjatë fushatës zgjedhore, si luftimi i pandemisë, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Gjatë këtij takimi, bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar Tanin për masat e reja antiCOVID-19, të cilat thotë se qeveria ka qenë e detyruar që t’i marrë, për të mbrojtur shëndetin publik.

Kurti citohet të ketë thënë se institucionet vendore janë duke u angazhuar maksimalisht për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës kundër COVID-19.

“Kryeministri Kurti dhe z. Tanin u pajtuan se në këto ditë të vështira të pandemisë që ka përfshirë globin, prioritet i çdo qeverie duhet të jetë shëndeti dhe jeta e njeriut”, thuhet në kumtesë.

Ata folën edhe për mbledhjen e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të martë.