Kryeministri Albin Kurti është lajmëruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej ku ka kërkuar nga Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, që të tregojë se pse nuk u arrit marrëveshje për target, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se i takon Lajçakut që të shpjegojë publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive.
Ai është shprehur i bindur se Bislimi ka qenë konstruktiv.
“Unë nuk e kam ndjekur për së afërmi procesin e fundit të bisedimeve për targat, mirëpo besoj se ndërmjetësuesi Lajçak do të shpjegojë publikisht se cila palë nuk ishte konstruktive. Unë për vete nuk kam dilema, e di që kryenegociatori, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka qenë edhe konstruktiv edhe kreativ por qartazi Beogradi nuk është i interesuar që të ketë marrëveshje ndërkaq ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon lehtësuesit që të sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, ka thënë Kurti për RTK’në.
Ndryshe, Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat në Bruksel, në takimin ndërmjet kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Twitter, Lajçak ka thënë se rezultatet nga takimi janë të përziera, shkruan Reporteri.net.
Por, ka shtuar se është shënuar progres në çështje të tjera, përfshirë energjinë.
“Sapo përfunduam takimin e sotshëm të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, asnjë marrëveshje nuk është arritur për targat, megjithatë është shënuar progres në fusha të tjera, përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, marrëveshja e përkohshme e targave ka skaduar më 21 prill. Përkundër që marrëveshja e përkohshme për targat ka skaduar më 21 prill, edhe përtej kësaj date, veturat kanë vazhduar të vendosin letrat ngjitëse bazuar në marrëveshjen e përkohshme e cila ishte arritur në tetor mes kryenegociatorëve Bislimi dhe Petkovic në Bruksel./Reporteri.net