Krerët e tri institucioneve të Kosovës i kanë dërguar letër organizatës UNESCO duke kërkuar që katër vende të trashëgimisë kulturore të mos konsiderohen si të rrezikuara.
“Me Vjosa Osmanin dhe Glauk Konjufcën kemi kërkuar nga UNESCO për të tërhequr katër vendet e trashëgimisë në Kosovë nga Lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Arsyet për vendosjen e tyre në listën e rrezikut nuk vlejnë më. Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në vendin tonë”, shkruan Kurti në rrjetin social Twitter.
Ndryshe, Federata Evropiane e Trashëgimisë Kulturore “Europa Nostra” ka renditur Manastirin e Deçanit në mesin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në mbarë Evropën për vitin 2021.
Kjo listë Europa Nostra e ka nxjerr bashkë me Institutin e Bankës Evropiane të Investimeve.
“Njoftimi për 7 Vendet më të Rrezikuara 2021 u bë në një aktivitet online të bashkë-organizuar nga përfaqësues të nivelit të lartë nga Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve, me pjesëmarrjen e Mariya Gabriel, Komisionere Europiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë. Nominuesit dhe përfaqësuesit e 7 vendeve të zgjedhura kontribuan në ëebinar, i cili tërhoqi pjesëmarrës nga e gjithë Europa dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar të “Europa Nostra”.
Ky njoftim ngjalli reagime tek liderët kosovarë. Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, i dërguan një letër kësaj organizate në të cilën u thanë kriteret që Manastiri i Deçanit nuk i plotëson për t’u bërë pjesë e programit të “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.