Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas dhurimit të gjakut në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, ka folur për letrën drejtuar zëvendës presidentit Mike Pence.
Kurti ka thënë se në këtë letër nuk i është ankuar për ambasadorin Richard Grenell. Ai ka shtuar se në këtë letër ka shprehur vetëm pikëpamjet e tij, duke thënë se ka pasur shumë keqinformim për punën e tij si politikan dhe Qeverisë së tij.
“Ajo është një letër kah mesi i muajit prill. Në muajin shkurt, mars, prill kam shkruar shumë letra të gjithë krerëve institucional në SHBA por edhe në BE. Bëhet fjalë për një letër e cila është gati një muaj e vjetër. Në këtë letër i falënderoj për përkrahjen që na kanë dhënë dhe shpreh zotimin tim që do të vazhdojë përkushtimi ynë për marrëdhënie të mira me SHBA. Nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Grenell, por kam shprehur pikëpamjet e mia për dialogun”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se ka shumë persona që kanë probleme me qenien e tij më shumë sesa me qëndrimet.
“Pasi ka shumë keqinformim për Qeverinë tonë dhe mua si kryeministër, kam shprehur pikëpamjet e mia që të mos ketë keqkuptim. Ka shumë akter që merren me keqinformim për mua, dhe nuk dua të merrem me të gjithë ta. Kanë më shumë problem me qenien time sesa me qëndrimet e mia”, u shpreh Kurti.
Kurti ka folur edhe për Samitin e Zagrebit ku tha se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të bëhet..
“Duhet të marrë fund diskriminimi që i është bërë Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/