“Është për keqardhje që është rehabilituar Vucic, sepse e dimë shumë mirë çfarë ka qenë ai dhe se ka qenë ministër i informimit i Milosheviqit, sikur që kanë qenë edhe ministrat e tij të sotëm Dacic dhe Vulin ngushtë pranë Milosheviqit”, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti për portalin e Sarajevës Vijesi.Ba
Kurti ka publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, intervistën e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe. Në të Vijesti.Ba e pyet liderin e VV-së edhe për hapësirën për veprimtari të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe sa kjo veprimtari po i lejohet Rusisë.
“Mund të themi që kjo deklaratë dëshmon që politika ruse është luftë me mjete tjera, pra jo sipas asaj formulës sipas së cilës politika është luftë me mjete tjera, por e kundërta, se këtu kemi luftë me mjete tjera dhe kjo është politika ruse. Deklaratat e tilla shkojnë kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Nga ana tjetër, ato janë sulm ndaj B&H si të tillë si dhe vetë Marrëveshjes së Dejtonit, për të cilën edhe ashtu nuk mund të themi se është e drejtë”, është përgjigjur Kurti në këtë, raporton Vijesti.Ba.
Kurti ka thënë se e brengos më së shumti deklarata se në B&H ka pas luftë qytetare dhe se nuk pa patur agresion serb. Kjo aksiomë se në B&H ka pas luftë qytetare, sipas tij, është më e rrezikshmja, sepse e sulmon themelin e kujtesës kolektive jo vetëm të boshnjakëve, por edhe të gjithë opinionit publik të rajonit dhe gjithë botës.
“Njëkohësisht, kjo hap rrugë për konflikte në të ardhmen. Është e qartë se të gjitha këto parashtete satelite të cilat i ka krijuar Serbia përreth në fqinjësi, ngjashëm sikur Rusia, tani janë satelitë të Rusisë. Do të thotë satelitët e Serbisë në Ballkan janë satelitë të Rusisë dhe nuk është për habi se gjithnjë e më tepër e kemi përshtypjen që Dodiku është më i afërt me Putinin sesa me vetë Vuçiqin”, ka thënë Kurti.
Kurti u pyet edhe për rolin e presidentit të Serbisë Aleksandër Vucic. Në cka ai ka thënë se Vucic do të hollat e perëndimit dhe fuqinë ushtarake e gjeopolitike të Rusisë, përcjell KP.
“Është shumë për keqardhje që është rehabilituar Vucic, sepse e dimë shumë mirë çfarë ka qenë ai dhe që ka qenë ministër i informimit i Milosheviqit, sikur sikur që kanë qenë edhe ministrat e tij të sotëm Dacic dhe Vulin ngushtë pranë Milosheviqit. Nga ana tjetër, Vucic na kujtohet kur ka qarë në mitingun nga i cili Vojislav Shesheli ka shkuar në Hagë, kurse dy javë më vonë është vrarë Zoran Gjingjiq. Unë po e përmend këtë, sepse prej kur ekziston Serbia si shtet, ata kanë patur vetëm dy vjet e gjysmë lider demokrat, ky ka qenë Gjingjiq të cilin e vranë. Ka qenë vetëm pyetje kohe se kur trashëgimtarët politikë të Milosheviqit do të kthehen në pushtet. Si intermezzo shërbyen Kostunica e Tadic, por këto ishin vetëm shkallët për të arritur sot aty ku është arritur”, ka thënë Kurti duke folur tutje edhe për Bashkësinë e Komunave me Shumicë serbe në Kosovë.
“Para ca kohësh keni deklaruar se instalimi i Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë do të thotë instalim i një Republika Srpska të re. Cili është roli i Rusisë në këtë ide serbomadhe?”, është pyetja që iu drejtua Kurtit sa i përket Asociacionit.
Në këtë ai është përgjigjur duke thënë se vizita e parë e Listës Serbe në Kosovë si parti kryesore e serbëve nga Kosova ishte në Moskë. “Në të vërtetë nuk jam i sigurtë edhe nëse kanë shkuar në Beograd. Në Beograd kanë shkuar para formimit të Qeverisë, ndërkaq pas formimit të Qeverisë menjëherë në Moskë. Kanë shkuar atje si pjesë e pushtetit të Kosovës. Kjo do të thotë se pushteti në Kosovë ka bashkëpunuar me Rusinë, gjë që është absurde”, citohet të ketë thënë Kurti.
“Nëse bashkësia e komunave serbe formohet në Kosovë, kryetari dhe nënkryetari i saj do të vëjnë marrëdhënie direkte me Putinin. Dhe, kjo do të jetë një Serbi brenda Kosovës. Pas bosnjëzimit të Kosovës do të kemi rusizimin e bosnjëzimit, sepse ky është qëllimi i Serbisë, ta bosnjëzojë Kosovën. Serbia nuk dëshiron ta ndajë Kosovën, ajo thotë se don ta ndajë Kosovën, por edhe thotë që don ta ndajë Bosnjën”, ka thënë lideri i VV-së.
“Mirëpo, kur deklarativisht thotë që don ta ndajë Bosnjën, atëherë rezultati është Republika Serbe. Në Kosovë thonë që duan zgjidhje të përhershme, si një lloj ndarjeje të Kosovës, por ata në fakt e duan bashkësinë e komunave serbe si një thelb i një republike serbe në të ardhmen. Dhe kjo është shumë problematike sepse do të kishin flamurin e tyre, simbolet, këshillin ekzekutiv të tyre me 7 anëtarë, mini parlamentin e tyre me 30 anëtarë, kompetenca në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planifikimit urban e rural, shëndetësi e arsim dhe nuk do të paguanin tatim në Kosovë”, ishte përgjigja e tij.
Sipas tij, problemi sa i përket kësaj çështje dhe mungesës së përgjigjes së Kosovës ndaj kësaj është se se njerëzit kryesorë në institucionet e sistemit në Kosovë janë të korruptuar dhe në atë mënyrë ata janë të shantazhuar. “Janë shumë të fortë ndaj popullit shqiptar, si shqiponja, ndërsa ndaj Vucic-it dhe bashkësisë ndërkombëtare janë si zogj pule dhe ky është problemi që e kemi”, ka thënë ndër tjerash Kurti për median boshnjake.