Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas ardhjes së 38 mijë e 400 dozave të vaksinës anti-COVID të AstraZeneca.

Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se si Qeveri do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë sa më shumë doza, në mënyrë që, siç thotë ai, brenda vitit të imuziohen 60% e popullsisë.

Kujtojmë se programi i UNICEF-it në Kosovë ka bërë të ditur se shpërndarja e 38 mijë e 400 dozave të vaksinave që kanë arritur sot, do të jetë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX.

Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë. Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç. Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë.