Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka kritikuar strategjinë për dialogun Kosovë – Serbi.
Kurti, gjatë një konference për media, lidhur me platformën për dialog të propozuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se është bërë një gabim në hapa dhe pret nga Qeveria të sjell një raport vlerësimi për gjashtë vitet e dialogut Kosovë-Serbi.
“Për platformën nuk do zgjas shumë vetëm do them se është një gabim në hapa dhe pres nga qeveria të na sjell një raport, për të na sjell një vlerësim për 6 viteve të dialogut paraprak për ato 33 marrëveshje dhe atë dialog që herë quhej teknik herë politik. Nuk kemi dokument të shtetit të Kosovës që do vinte në Kuvend ku do të bëhet vlerësimi për dialogun”, ka thënë ai, raporton KP.
Ai tutje tha se nuk duhej të vazhdojë dialogu pa pasur një vlerësim të tij.
Po ashtu në këtë konferencë u fol edhe për javën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do mbahet nga 10 deri më 17 qershor.
Sekretarja organizative e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi duke shpalosur disa detaje për këtë javë, tha se kësaj partie në vitin 2018 i janë bashkuar 3 mijë anëtar të rinj, të cilët synojnë t’i bëjnë pjesë të strukturave organizative të Lëvizjes Vetëvendosje.