Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga vizita e tij në Poloni ka bërë të ditur se ka takuar një të burgosur politik, tejet të njohur, Adam Michnik.

Kurti tha se në moshën 78-vjeçare, Michniku, me mendje të mprehtë e kujtesë të gjerë, ka treguar se kur ka vizituar Prishtinën para shumë vjetëve në një rast teksa po mbante fjalim në frëngjisht para një grupi polakësh, përkthimi ishte në shqip dhe ata s’kuptuan asgjë.

Postimi i plotë:

Teksa ngjitemi shkallëve na paralajmëruan që ai pi shumë duhan. Ishte njëlloj kërkim faljeje paraprake për ne shoqëruar me brengë e dhembshuri për të.

Adam Michnik, nga një i burgosur politik polak (tejet i njohur) u bë intelektual publik evropian (edhe më i famshëm). I tillë është edhe sot, në moshën gati 78-vjeçare, me mendje të mprehtë e kujtesë të gjerë, kritik dhe produktiv, me humor të hollë trashëgimi e situatave të burgut e disidencës. Në fillim të bisedës, tregon se kur ka vizituar Prishtinën para shumë vjetëve, në një rast teksa po mbante fjalim në frëngjisht para një grupi polakësh, përkthimi ishte në shqip dhe ata s’kuptuan asgjë.

Vështirë të ketë një të dytë sikur Michnik që respektohet kaq shumë si prej atyre që pajtohen njësoj edhe prej atyre që s’pajtohen me të.

Dija mbi historinë dhe talenti për letërsinë, përvoja jetësore në sisteme të ndryshme shtetërore, janë fort të vlefshme sa të pazëvendësueshme për vrojtimet që bën e shpjegimet që jep, nga raporti i Bashkimit Evropian me demokracinë, te agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe sfidat e njerëzimit në botë.

Flet me admirim për Ismail Kadarenë dhe Fatos Lubonjën, por edhe për polemikën e tyre me njëri-tjetrin. Evakukon përplot mbresa takimet me Adem Demaçin e Veton Surroin dhe pyet për Kosovën sot…

I tregova edhe për përkthimet në shqip të shkrimtarëve nobelistë polakë, Czesłaë Miłosz, Wisłaëa Szymborska e Olga Tokarczuk, dhe e ftova të rikthehet për një ligjëratë në Prishtinë ku pa dyshim se do ta zgjidhim problemin e përkthimit.

Adam Michnik, stoik si qytetar dhe liberal në shoqëri: “mund të jetë i burgosur edhe nga fashizmi, edhe nga komunizmi, por jo nga frika”.

Shtëllunga e tymit të cigares që nuk fiket ia mbështjell kokën e thinjur. Por fjalët që thotë dhe sytë që i shëndrrisin e zhbirojnë edhe atë. Shkallëve teposhtë te Gazeta Wyborcza futa dorën në xhepin e sakos, thua se edhe unë po kërkoja një shkrepëse për cigare.