Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Sarajevë ka vizituar konsullatën e nderit të Shqipërisë si dhe shoqatën e bashkatdhetarëve, ku u prit nga konsulli i nderit, Muharrem Zejnullahu.
Me këtë rast, ai ka thënë se ishte konstatim i përbashkët që sa më parë qytetarët e Kosovës dhe të Bosnjës të lëvizin lirshëm.
“Është absurde që Kosova i vendos masat e reciprocitetit B&H duke vënë regjim vizash për Bosnjën (gjë që godet vetëm boshnjakët e shqiptarët me pasaportë të B&H dhe jo serbët e B&H), e nuk e bën këtë karshi Serbisë. Për më tepër, nga rreth 50 biznese të B&H që operojnë në Kosovë, mbi 90% janë nga Republika Serbe”.
“Bashkatdhetarët tanë janë një pasuri shumë e çmueshme për të dy vendet tona. Ne kemi dëshmorë tanë në B&H gjë që tregon se shqiptarët e mbrojnë vendin dhe lirinë kudo që jetojnë. Institucionet përgjegjëse në Kosovë e Shqipëri duhet të rrisin përkrahjen për bashkatdhetarët tanë.U bisedua edhe për iniciativën rreth binjakëzimit të mundshëm të qyteteve të Kosovës dhe B&H drejt shkëmbimit sa më të madh kulturor e shoqëror në mes dy vendeve”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka vizituar Bash Çarshinë e famshme të Sarajevës si dhe ka zhvilluar një takim të me themeluesit e grupimit mjekësor “Familja dhe Shëndeti”, Dr.Ismail Lutolli dhe Dr.Shpresa Ramadani, grupim i cili përfshin mbi 120 mjekë specialistë nga të gjitha trojet shqiptare, transmeton Klan Kosova.
Poashtu, kreu i VV-së ka qëndruar në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë që është partner me Universitetin e Buckingham-it ku u takua me rektorin dhe themeluesin e këtij universiteti, Ejup Ganiq, ish nënkryetarin e kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe dorën e djathtë të kryetarit të parë, Alija Izetbegoviq.