Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar komunën e Klinës dhe të Istogut pas dëmeve materiale që kanë shkaktuar erërat e fuqishme.

Kryeministri Kurti, ka thënë në Klinë se është fat se nga erërat e fuqishme nuk ka pësuar ndonjë qytetar.

“Kemi ardhur për të parë për së afërmi dëmtimet që janë shkaktuar dhe nevojat e qytetarëve. Kryetari i Klinës më njoftoi se kanë krijuar një komision për evidentimin e dëmtimeve dhe posa të dalim me një regjistër të këtyre dëmeve si qeveri e Republikës së Kosovës do shqyrtojmë se çka mund të ndihmojmë duke pasur parasysh nevojat më urgjente. Dëmtimet duket se janë nëpër pullaze të shtëpive dhe në serat e fermerëve jemi. Me shumë fat se nga gjithë këto tjegulla që kanë rënë në tokë nuk ka pasur vdekje të njerëzve apo lëndime të tyre dhe dëmet materiale janë e keqe më e vogël kur mund të kesh parasysh se çfarë dëme të tjerash mund të kesh”, ka pohuar Kurti.

Ndërsa në Istog, Kurti ka thënë se që së bashku me Komunën, do t’iu ndihmojnë qytetarëve.

“Po na vjen keq se në vend së të vijmë t’i shohim sukseset e kësaj ndërmarrje prodhuese e të dobishme për ekonominë tonë, për vendin, për prodhimtarinë bujqësorë, po vijmë në një ditë si kjo pas dëmtimeve të mëdha që keni pësuar nga erërat e fuqishme në Istog. Falënderoj kryetarin e Komunës, Haki Rugovën, jam këtu bashkë me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafën dhe me ministren e Arsimit, Hykmete Bajramin, në mënyrë që të njoftohemi për së afërmi me këto dëme dhe natyrisht pas regjistrimit, evidentimit dhe vlerësimit të këtyre dëmeve, të shohim edhe si Komunë edhe si Qeveri se çka mund të ndihmojmë, duke u fokusuar në nevojat urgjente më së pari. Dhe në një plan afatgjatë fondi i sigurimeve bujqësorë i zgjedh këto probleme”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti gjatë ditës pritet të vizitojë edhe komunën e Pejës.

Ndryshe, erërat e fuqishme që kanë përfshirë Rajonin e Dukagjinit kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Si pasojë e këtyre erërave, mijëra banorë kanë mbetur pa energji elektrike. /Telegrafi/