Kur 103 të afërm iu vranë në një sulm në shtëpinë e tyre familjare në qytetin e Gazës, Ahmad al-Ghuferi ishte 80 kilometra larg vendlindjes, gjegjësisht në qytetin e okupuar të Jerichos në Bregun Perëndimor.

Ahmad kishte punuar në një kantier ndërtimi në Tel Aviv kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor – në pamundësi për t’u kthyer te gruaja dhe tre vajzat e vogla për shkak të luftës që pasoi dhe bllokadës ushtarake të Izraelit.

Ai fliste me ta në të njëjtën orë çdo ditë, kur i lejonin lidhjet telefonike ndërsa ka folur me gruan e tij, Shireen, pasi sulmi ndodhi mbrëmjen e 8 dhjetorit, raporton bbc.

“Ajo e dinte se do të vdiste”, tha ai dhe shtoi se “ajo më kërkoi t’ia ‘jepja hallallin’ për çdo të keqe që mund të më kishte bërë ndonjëherë. Unë i thashë se nuk kishte nevojë ta thoshte këtë. Dhe kjo ishte telefonata e fundit mes nesh”.

Sulmi i fuqishëm në shtëpinë e xhaxhait të tij atë mbrëmje lanë të vdekur gruan dhe tre vajzat e vogla – Tala, Lana dhe Najla, transmeton Telegrafi.

Bombardimi vrau gjithashtu nënën e Ahmedit, katër nga vëllezërit e tij dhe familjet e tyre, si dhe dhjetëra halla, xhaxhallarë dhe kushërinj të tij. Mbi 100 të vdekur. Më shumë se dy muaj më vonë, disa prej trupave të tyre gjenden ende nën rrënojat e gërmadhave.

Javën e kaluar ai festoi ditëlindjen e vajzës së tij më të vogël. Najla do të kishte mbushur dy vjet. Ahmedi ende po përpiqet të marr veten pas gjithë këtyre humbjeve.

Në pamundësi për t’i dhënë lamtumirën e fundit shkaku i varrosjes së tyre të nxituara, ai ende flet për ta në kohën e tashme, mes lotëve që i rrjedhin pandërprerë.

“Vajzat e mia janë zogj të vegjël për mua”, tha ai. “Më duket sikur jam në ëndërr. Ende nuk mund ta besoj atë që na ka ndodhur”.

Ai ka hequr fotot e vajzave nga ekrani i telefonit dhe laptopit pasi që nuk po mund të pajtohet me humbjen e tyre.

Ai po bashkon historinë e asaj që ndodhi nga rrëfimet e disa të afërmve dhe fqinjëve të mbijetuar.

Ata i thanë se një raketë kishte goditur fillimisht hyrjen e shtëpisë së familjes së tij.

“Ata dolën me shpejtësi dhe shkuan në shtëpinë e xhaxhait tim aty pranë”, tha ai. “Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, një aeroplan luftarak goditi atë shtëpi”.

Ndërtesa katërkatëshe ku u vra familja qëndronte pranë Qendrës Mjekësore Sahaba në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës.

Tashmë është një grumbull betoni, rrënojat e përshkuara me pika të ndezura ngjyrash: një filxhan plastik jeshil e copa rrobash të pluhurosura.

Korniza e thërrmuar e një veture argjendi dhe xhami i thyer qëndron afër nën gurë betoni të varur.

Një nga të afërmit e mbijetuar të Ahmedit, Hamid al-Ghuferi, i tha BBC-së se kur filluan sulmet, ata që ia mbathën në kodër mbijetuan dhe ata që u strehuan në shtëpi u vranë.

“Ishte një zjarr i madh”, tha ai. “Goditën katër shtëpitë tona që ishin të ngjitura. Ata goditnin çdo 10 minuta një shtëpi”.

“Aty ishin 110 persona nga familja Ghuferi – fëmijët dhe të afërmit tanë. Gati të gjithë u vranë”, tha ai.

Të mbijetuarit thonë se viktima më e madhe ishte një grua 98-vjeçare; djali më i ri i lindur vetëm nëntë ditë më parë.

Një tjetër i afërm, një kushëri i cili gjithashtu quhet Ahmad, përshkroi dy shpërthime të mëdha nga një sulm ajror.

“Nuk kishte asnjë paralajmërim paraprak”, tha ai. “Nëse [disa] njerëz nuk do të ishin larguar tashmë nga kjo zonë, unë mendoj se qindra do të ishin vrarë. Zona duket krejtësisht ndryshe tani. Kishte një parkim veturash, një vend për të ruajtur ujin. Shpërthimi shkatërroi një zonë të tërë banimi”.

Hamid tha se të mbijetuarit kishin punuar deri në orët e para të mëngjesit për të nxjerrë trupat nga rrënojat.

“Aeroplanët po fluturonin në qiell dhe kuadrokopterët po gjuanin drejt nesh ndërsa ne po përpiqeshim t’i tërhiqnim”, tha kushëriri Ahmad.

“Ne ishim ulur në shtëpi dhe e gjetëm veten nën rrënoja”, tha Umm Ahmad al-Ghuferi për BBC. “Më hodhën nga njëra anë në tjetrën, nuk e di si më nxorën jashtë, pamë vdekjen me sy”.

Dy muaj e gjysmë më vonë, ata ende po përpiqen të arrijnë disa prej trupave të varrosur nën rrënoja. Familja ka mbledhur para për të punësuar një buldozer të vogël, për të copëtuar mbeturinat.

“Ne nxorëm katër trupa [sot]”, tha Ahmad për BBC, “përfshirë gruan e vëllait tim dhe nipin tim Mohammed, i cili u nxor copa-copa. Ata kishin qenë nën rrënoja për 75 ditë”.

Varret e tyre të përkohshme shtrihen në një copë tokë të zbrazët, të shënuar me shkopinj dhe fletë plastike.

Ahmedi, i cili ishte në Jericho, nuk e ka vizituar vendlindjen.

“Çfarë bëra që më privuan nga nëna, gruaja, fëmijët dhe vëllezërit e mi”, ai pyeti. “Ata ishin të gjithë civilë”.

BBC ka pyetur ushtrinë izraelite për pretendimet e familjes se ishte shënjestër e sulmeve ajrore. Në një përgjigje, ushtria tha se nuk ishte në dijeni të sulmit në fjalë dhe se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) morën “masa paraprake të mundshme për të zbutur dëmin tek civilët” në luftën e saj me Hamasin.

Pati luftime intensive midis forcave izraelite dhe personave të armatosur të Hamasit në zonën e Shejaiyya, disa blloqe në jug të shtëpisë al-Ghuferi, në ditët para dhe pas vrasjes së familjes së Ahmadit.

Në një deklaratë më 9 dhjetor, ushtria tha se kishte “identifikuar një numër terroristësh të armatosur me raketa antitank” që u afroheshin trupave në Shejaiyya dhe bëri thirrje për një sulm me helikopter ndaj tyre.

Ai tha gjithashtu se aeroplanët luftarakë kishin goditur objektiva të terroristëve në Rripin e Gazës, ndërsa po vazhdonin operacionet tokësore.

Zona e Zeitunit, ku dikur ishte shtëpia e familjes së Al-Ghuferi, tani është fokusi i operacioneve të reja nga IDF.

I bllokuar në Jericho me babanë e tij – një tjetër punëtor ndërtimi i bllokuar në Bregun Perëndimor – Ahmedi ende ndonjëherë i telefonon të afërmit e mbijetuar në Gaza.

Por, pas disa muajsh që ishte i bllokuar jashtë shtëpisë së tij të dashur dhe i dëshpëruar për t’u kthyer, ai nuk është më i sigurt nëse do të kthehet ndonjëherë.

“Ëndrra ime u shkatërrua në Gaza”, tha ai. “Për kë të kthehem? Kush do të më thërrasë baba? Kush do të më thërrasë i dashur? Gruaja ime më thoshte se isha gjithë jeta e saj. Kush do të ma thotë këtë tani”.