Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit(sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Ndryshe, Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim. /REL/