Vjosa Osmani sonte u votua nga Kuvendi i Kosovës për presidente të vendit.
Ajo për 5 vjetet e ardhshme do të jetë në krye të shtetit të Kosovës.
Po kush është në fakt Vjosa Osmani?
Kjo është një biografi e shkurtër e saj:
Dr. Vjosa Osmani Sadriu u lind më 17 maj 1982 në Mitrovicë, në Kosovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës.
Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare.
Në mandatet e kaluara ajo ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Më 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, Vjosa Osmani ka shërbyer si Shefe e Stafit të presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.
Osmani është e martuar me Pridon Sadriun dhe ka dy vajza binjake.