Zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen sivjet i kanë shtuar angazhimet e subjekteve politike nëpër Komuna. Edhe në komunën e Podujevës kanë filluar të vërehen këto angazhime. Prej të gjitha partive kanë nisur të qarkullojnë emra për kandidatë potencial për të parin e Podujevës, mirëpo asnjëri prej subjekteve politike nuk kanë bërë publik emrin e kandidatit të tyre për kryetar, shkruan Gazeta e re.

Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e cila udhëheq Podujevën që nga paslufta. Edhe kryetari i tanishëm i kësaj komune, Agim Veliu, i takon kësaj partie, mirëpo ai për Gazeta e Re nuk ka treguar nëse do të rikandidoj edhe për një mandat tjetër.

“Lidhja Demokratike në Podujevë është shumë e përgatitur për këto zgjedhje. Ndërsa për kandidatin për kryetar do të vendosin strukturat e partisë”, ka deklaruar Veliu. I pyetur nëse do të rikandidojë, ai tha se “nuk e kemi qit në temë diskutimi këtë çështje, kur të vije koha ne e diskutojmë në strukturat e LDK-së edhe e vendosim”.

Mirëpo, burime të afërta me LDK-në e Podujevës, si kandidatë potencial përpos Agim Veliut po e përmendin edhe deputetin e kësaj partie në Parlamentin e Kosovës, Shpejtim Bulliqi.

Ndërsa, Flakron Gashi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e përgatitur për këto zgjedhje mirëpo, ai nuk kanë bërë të ditur emrin e kandidatit të kësaj partie për kryetar të Podujevës.

“Ne si subjekt opozitar kemi analizuar në detaje profilin e kandidatit, njëherit kryetarit të ardhshëm të komunës së Podujevës dhe sipas nesh cilido qoftë ky kandidat, duhet t’i përmbush këto kritere themelore: të ketë vlera të larta njerëzore, morale e intelektuale; të jetë i dëshmuar në ndërtimin e kapaciteteve shtetërore; CV-ja dhe biografia e tij duhet të jenë të pastra dhe të korrespondojnë me zbatueshmërinë dhe respektimin e rendit ligjor në vend; të ketë njohuri të mira udhëheqëse e menaxheriale dhe të njoh kërkesat dhe nevojat imediate të qytetarëve të Komunës së Podujevës”, është shprehur Gashi.

As kjo parti nuk i ka shpëtuar përfoljeve lidhur me kandidaturën e mundshme të anëtarëve të saj për kryetar të Podujevës. Ndër emrat e përmendur si kandidat potencial nga kjo parti janë Hajredin Hyseni dhe Kadri Kastrati. Mirëpo, Gashi nuk ka konfirmuar nëse ndonjëri nga emrat e përfolur mund të jetë kandidatë për të udhëhequr Podujevën.

“Që të dy kolegët e lartcekur, bartin atributet e larta njerëzore dhe përmbushin kriteret themelore të vëna nga struktura e Partisë Demokratike të Kosovës dega në Podujevë, për cilindo pretendent për kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale 2017”, ka thënë Gashi. Ai shtoi se PDK dega në Podujevë, është në konsultat përfundimtare rreth përcaktimit të kandidatit të ardhshëm për kryetar të komunës së Podujevës dhe në momentin që vendos përfundimisht rreth kandidaturës, do të zyrtarizoj atë.

Përveç LDK-së e PDK-së, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Podujevë është duke u përgatitur për këto zgjedhje. Valon Maçedonci nga kjo parti ka deklaruar se AAK në Podujevë do të dal me një plan konkret duke i kushtuar rëndësi pushtetit lokal e jo atij qendror.

“Mendojmë me dal me një plan konkret në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa për kandidat ende nuk jemi përcaktuar se kush do të kandidojë për kryetar të komunës. Mendojmë që lista jonë do të ketë njerëz kryesisht me arsim profesional dhe me profesione të cilat kanë nevojë më shumë qytetarët e komunës sonë. Si pushtet lokal nuk e kemi nijet me u marr me punë të pushtetit qendror”, ka thënë Maçedonci.

Ndërsa, si kandidat i mundshëm nga kjo parti për kryetar të Podujevës po lakohet emri i Nexhat Llumnicës. Për këtë Maçedonci tha se “Lluminca i plotëson krejt kriteret e mundshme për të qenë kandidat për kryetar. Mirëpo, kjo do të varet nga vendimi i këshillit drejtues se kush do të kandidoj për kryetar”.

Kurse, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë Bajram Ajeti ka thënë se ky subjekt politik është i përgatitur për këto zgjedhje. Sipas tij, LVV në këtë komunë ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidat nga radhët e saj për të udhëhequr Podujevën. Mirëpo, Ajeti nuk e përjashton mundësinë që ai të jetë kandidat për të parin e kësaj komune.

Përveç kandidatëve nga subjektet politike për kryetar të Podujevës në këto zgjedhje mund të ketë edhe kandidat të pavarur. Si kandidat i tillë po lakohet edhe emri i Shemsi Jasharit nga shoqëria civile.

Ndërsa të pa përcaktuar për këto zgjedhje janë grupi i këshilltarëve komunal “3+”. Kadri Avdiu nga ky grup nuk e ka bërë të ditur se di do të veprojnë në këto zgjedhe duke thënë se është herët për të vendosur se kë do ta përkrahin.