Screenshot

Senatori nga Florida, Marco Rubio, është njëri ndër kandidatët për postin e sekretarit të shtetit në administratën e re të presidentit të zgjedhur Donald Trump, raporton CBS duke cituar dy burime të paidentifikuara pranë procesit.

BBC raporton gjithashtu se Richard Grenell, i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, është në mesin e kandidatëve.

Në vitin 2016, Rubio ishte një nga rivalët e Trump në garën për nominimin presidencial të republikanëve dhe të dy shpesh përplaseshin publikisht. Trump e kishte quajtur Rubion “Marko i vogël”, ndërsa senatori nga Florida tallej me presidentin e atëhershëm për “duart e tij të vogla”.

Ndërkohë, Rubio është bërë një mbështetës i fortë i Trumpit dhe ka bërë paraqitje në fushatë me të javët e fundit.

Richard Grenell njihet gjithashtu si mbështetës besnik i Trumpit. Ai shërbeu në role të vogla nën administratën e Xhorxh W. Bush dhe e këshilloi Mitt Romneyn për politikën e jashtme gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2012. Ai shërbeu gjithashtu si ambasador i Trump në Gjermani dhe më vonë udhëhoqi shkurtimisht agjencitë e inteligjencës amerikane.

Grenell është veçanërisht i njohur për përfshirjen e tij në Ballkan, ku luajti një rol kyç në nismat që lidhen me Serbinë dhe Kosovën. Gjatë vitit 2020, si i dërguar i posaçëm i administratës Trump për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai ishte ndërmjetës në arritjen e marrëveshjeve ekonomike që synonin lehtësimin e bashkëpunimit tregtar dhe lidhjes infrastrukturore mes dy palëve.

Grenell theksoi në atë kohë se qasja e tij ishte pragmatike dhe e fokusuar në zhvillimin ekonomik, në vend të çështjeve politike dhe historike.

Veç kësaj, aktiviteti i tij në Ballkan përfshinte çështje që kishin të bënin me Bosnjën dhe Hercegovinën, ku ai gjithashtu mbështeti iniciativat për forcimin e stabilitetit rajonal dhe lidhjet ekonomike. Përfshirja e tij në këtë pjesë të botës shkaktoi reagime të ndryshme, pasi ai shpesh theksonte nevojën për zgjidhje më të shpejta ekonomike, ndërsa kritikët mendonin se kjo qasje injoronte marrëdhëniet komplekse politike në rajon.