Me 17 vota për, 13 kundër dhe 2 apstenime është miratuar Raporti financiar për vitin 2015 në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Podujevës, raporton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, pasi që prezantoi Raportin financiar për vitin 2015 ai informoi Kuvendin për shpenzimet totale në nivelin komunal dhe shpenzimet të ndara sipas kategorive ekonomike dhe sipas burimit prej nga ato janë financuar.
“Buxheti i alokuar për vitin 2015 ka qenë 18,803,415.00 euro, duke përfshirë edhe donacionet. Nga kjo shumë janë shpenzuar 17,927,172.00 euro, apo në përqindje 95.34 %, duke përfshirë edhe donacionet”, tha drejtori Latifi.
Fidan Rekaliu, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së tha se raporti në mënyrë të detajuar ka prezantuar projektet e realizuara dhe shpenzimet e buxhetit, sipas kategorive buxhetore.
Ndryshe nga këshilltarët e LDK-së, Grupet e këshilltarëve të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhanë shumë vërejtje për këtë raport ata madje ishin kundër miratimit të tij.
Rafet Llapashtica nga radhët e PDK-së gjeti vërejtje të shumta në këtë raport të cilat i shprehi para Kuvendit duke thënë se në atë raport ka shpenzime të panevojshme dhe të paarsyeshme.
Gjithashtu edhe Haki Rudari, këshilltar nga VV-ja dha vërejtje për Raportin Financiar duke thënë se disa nga shpenzimet e dhëna në raport janë të panevojshme. Ai gjithashtu dha vërejtje për bartjen e obligimeve të pakryera nga viti paraprak buxhetor totali i të cilave është 172.801.50 euro./Llapi.info