Kuvendi Komunal i Komunës së Podujevës në mbledhjen e mbajtur sot, me shumicë votash ka miratuar Vendimin për Buxhetin e Komunës për vitin 2017 dhe parashikimet për vitin 2018- 2019, njofton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në këtë komunë, Isuf Latifi, tha se në bazë të këtij vendimi buxheti për vitin 2017 dhe parashikimet për vitin 2018- 2019 do të jetë mbi 19 milion euro.
“Ministria e Financave ne qarkoren e vitit 2017 02 ka përcaktuar kufijtë final buxhetit për vitin 2017 si dhe projeksionet për vitin 2018/19. Sipas kësaj qarkoreje Buxheti Komunal për vitin 2017 do të jetë 19 milion 284mije e 786 euro, kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: nga grandet qeveritare shuma prej 17 milion 436 mijë 986 euro dhe nga të hyrat vetanake shuma prej 1 milion e 847 mijë 800 euro” tha Latifi.
Tutje, Latifi ka shpjeguar edhe për format se si ky buxhet është i ndarë, duke përmendur këtu shpenzimet për administratën komunale, në shëndetësinë primare, arsimin fillorë dhe të mesëm. Gjithashtu, sipas Latifit këto mjete buxhetore nuk janë të mjaftueshme, mirëpo sipas tij këto janë mundësitë buxhetore.
Vendimin për Buxhetin Komunal për vitin 2017 e ka mbështetur grupi i këshilltarëve të LDK- së. Shefi i këtij grupi Fidan Rekaliu tha se grupi parlamentar i LDK-së e përkrahin projekt propozimin për buxhetin e vitit 2017 dhe parashikimet për vitin 2018-2019.
Ndërsa, opozita edhe pse ka bërë vërejtje për këtë buxhet prapëseprapë nuk ka votuar kundër këtij vendimi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica tha se te rregullorja e tatimeve nuk ka vërejtje ndërsa te disa projekte prioritare për vitin 2017 ka gjetur vërejtje.
“Te projektet primare janë të parapara 100 mijë euro për vendosjen e shtatores së Ali Ajetit, punimi, ndërtimi dhe vendosja e monumentit të tre heronjve, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushefcit, mendoj që duke e ditur koston e shtatoreve edhe punës është mirë që ky buxhet të rritet nëse është mendue me u krye kjo punë e nëse është mendue vetëm me thanë që po e ndërtojmë sepse mendoj që 100 mijë euro janë pak për realizimin e këtij projekti për vitin 2017” tha Llapashica.
Përveç Llapashticës vërejtje në projekte pati edhe subjekti tjetër opozitar. Shefi i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Haki Rudari, tha buxheti është hartuar në mënyrë jo të mirë.
“Ky buxhet është hartuar në mënyrë jo të mirë pasiqë nuk është biseduar mjaftueshëm me qytetarë. Ky është viti i tretë që Vetëvendosje jep vërejte për rikuperimin për rikuperim të buxhetit. Pastaj, 16 vite pas lufte të merremi me projektet për heronj mendoj se janë projekte të vonuar” shtoi më tutje Rudari.
Ndërsa në fund Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu falënderoj të gjithë ata që kanë punuar në përgatitjen e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës.
“I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces. Po ashtu e vlerësojë shumë edhe qytetarët sepse për këtë çështje ne kemi mbajtur disa takime nëpër disa lokalitete. Nuk mundem pa përmend edhe ndihmën që për çdo vit po na e bënë OSBE-ja për sa i takon këtij procesi” tha ndër të tjera Veliu./Llapi.info