Problemet familjare dyshohet të jetë motiv i vrasjes së mbrëmshme në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lauretë Ulaj. Ajo tha se nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare.

“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë, rezultate nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, tha Ulaj.

E dyshuara për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë është dërguar në mbajtje për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”, si dhe i është sekuestruar arma.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, tha Ulaj.

Tutje, Ulaj tha se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Viktima është Xhevdet Millaku, rreth 60 vjeçar, i cili punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kurse, gruaja e dyshuar për vrasjen është Nazmije Millaku, rreth 55 vjeçe.