Një aksident trafiku ndodhi më 26 korrik në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ku si pasojë e përplasjes në vendin e ngjarjes vdiqën tre persona, ndërkaq sot ka ndërruar jetë edhe personi i katërt, raporton Llapi.info.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimaj ka thënë se i lënduari L.J në orën 15:30 sot ka ndërruar jetë.
“Me datë 06.08.2019, në ora 15:30, policia është informuar nga mjeku kujdestar në QKUK – Prishtinë se i lënduari në aksident trafiku me 26.07.2019, L.J i lindur në vitin 1973, i njëjti për shkak të lëndimeve të rënda ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij trupi i viktimës dërgohet në IML për autopsi”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, siç mëson Llapi.info, personi i katërt që vdiq sot si pasojë e këtij aksidenti është 46 vjeçari nga Shajkoci i Podujevës, Luzlim Jupolli. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në orën 18:00 në varrezat e fshatit Shajkoc.
Ndryshe, sipas Policisë, aksidenti pati ndodhur në mes të dy automjeteve udhëtarësh si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë dhe tejkalimit në mënyrë të pa sigurt./Llapi.info