Nazim Veseli nga fshati Dumnicë, komuna e Podujevës, më 28 mars 1999 i mbijetoi plagëve të marra nga forcat serbe që 17 vite më parë tentuan ta pushkatojnë atë së bashku me disa persona tjerë.
Veseli këtë ditë e cilëson si ditëlindjen e tij të dytë, por ai thotë se në këtë ditë nuk feston por përkujton. Kështu ka shënuar në llogrinë e tij në Facebook llapjani i mbijetuar i pushkatimit serb.
Ai ka përmendur edhe personat të cilët janë vrarë atë ditë kur ky ishe plagosur.
“Në rrugët ”Liria” , ”Skënderbeu” e ”Hakif Zejnullahu’’ u vranë e masakruan shumë qytetar shqiptar, burra, gra dhe fëmijë. Vetëm familjeve Bogujevci dhe Duriqi iu vranë 13 gra dhe fëmijë. Të vrarë pati edhe 2 anëtar nga familja Llugaliu, 2 anëtar nga familja Tahiri e 2 anëtar nga familja Xheladini si dhe 1 anëtar nga familja Gashi.”- ka shkruar ndër të tjera Nazim Veseli.
Ky është postimi i plotë i Nazim Veselit:
“SOT ËSHTË DITËLINDJA IME E DYTË, POR KËTË DITËLINDJE NUK E FESTOJ, KËTË DITË E PËRKUJTOJ !
Si në shumë vende të Kosovës po ashtu edhe në komunën e Podujevës muaji Mars përtërinë dhimbjet dhe rikujton krimet dhe tmerret që bëri ushtria dhe policia serbe ndaj familjeve shqiptare, sidomos krimet e bëra ndaj popullatës civile.
Para 17 vitesh Qyteti i Podujevës ishte stërmbushur me banor pasi shumica e fshatrave ishin zhvendosur në qytet pasi që në vendbanimet e tyre kishin filluar luftimet më herët, dhe duke menduar se qyteti do të jetë më i sigurt.
Në Podujevë në mëngjesin e 28 marsit 1999 dita e parë e ,,Kurban Bajramit” filluan masakrat më të rënda ndaj popullatës shqiptare në Podujevë duke vra dhe masakruar familje shqiptare, djeg, shkatërruar shtëpitë, për të futë frikë dhe panik te banorët e Podujevës, me të vetmin qëllim dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre, pra për një pastrim etnik, të largimit sa më larg Podujevës. Ushtria dhe policia serbe e cila e mbante qytetin e rrethuar, kishin formuar disa njësi paramilitare dhe kriminale për të kontrolluar shtëpi për shtëpi nëse dikush nuk e ka lëshuar shtëpinë.
Kështu me datën 28 mars 1999 në rrugët ”Liria” , ”Skënderbeu” e ”Hakif Zejnullahu’’ u vranë e masakruan shumë qytetar shqiptar, burra, gra dhe fëmijë. Vetëm familjeve Bogujevci dhe Duriqi iu vranë 13 gra dhe fëmijë. Të vrarë pati edhe 2 anëtar nga familja 2 anëtar nga familja Llugaliu, 2 anëtar nga familja Tahiri e 2 anëtar nga familja Xheladini si dhe 1 anëtar nga familja Gashi. Pati edhe të plagosur të cilët I mbijetuan tmerrit e në mesin e tyre jam edhe unë që mbeta i plagosur por duke falendëruar Zotin mbijetova.
Lutja e ime është që të gjithë të vrarët u prefshin në qetë në dheun e Kosovës ndërsa familjarëve të të vrarëve zoti ua lehtësoft dhimbjet.Përvjetorët e përkujtimeve gjithmonë sjellin dhembje e mall për më të dashurit tanë që u vranë. Mirëpo kujtesa për asnjë moment nuk duhet të na ligështojë, por bashkërisht të punojmë në të mirë të qytetarëve, sepse kështu nderojmë edhe kujtimin për fëmijët, nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit që na i vranë.
Andaj dhembjen e natyrshme ta shndërrojnë në përpjekje të përbashkëta për ndërtimin e një të ardhme më të mirë.
UNË I MBIJETOVA LUFTËS DHE ASNJËHERË NUK JAM DORËZUAR KAM VAZHDUAR QË TË ECI PËRPARA. UNË I KAM VËNË VETËS NJË QËLLIM QË TË JETOJË JETËN, POR KURRËSESI TË MOS E HARROJË TË KALUARËN.”