Me rastin e festës së Vitit të ri, kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka uruar ka gjithë qytetarët përmes rrjetit social ‘facebook’, njofton Llapi.info.

Veliu qytetarëve u ka uruar që viti 2018 të jetë i mbarë, i begatshëm dhe i suksesshëm për të gjithë qytetarët.

Ky është urimi i plotë i Veliut:

Të dashur qytetarë,
Të çmuar miq,

Së bashku po e përmbyllim edhe një vit kalendarik. Ishte vit i sukseseve të përbashkëta, të cilat u konfirmuan e u kurorëzuan me rikonfirmimin tonë në punë e udhëheqje.
Po e lëmë prapa një vit të angazhimeve të mëdha, të shumë projekteve të realizuara, punë e investime, të cilat përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetës së qytetarëve llapjanë. 
Besimi ynë i ndërsjellë, i paluhatur, e i shprehur fuqishëm këtë fundvit, më obligon ta rrisim angazhimin dhe përkushtimin tonë në favor të përfundimit të punëve të filluara dhe marrjes së obligimeve të reja për Podujevën tonë.

Të dashur qytetarë,

Fundi i vitit është momenti kur numërojmë rezultatet, sukseset dhe sfidat, mirëpo gjithsesi është edhe momenti i shkëmbimit të urimeve mes nesh.
Duke dëshiruar që ndërrimin e moteve ta festoni solemnisht, me tryezat plot dhe dinjitetshëm, uroj që viti 2018 të jetë i mbarë, i begatshëm dhe i suksesshëm për të gjithë qytetarët tanë!

Gëzuar Viti i Ri 2018