Aktori Çun Lajçi ka përkujtuar vajzën e tij të ndjerë, Bubulinën, në ditëlindjen e saj.

Lajçi nëpërmjet një postimi të ndjerë ka kujtuar se si as vitin e kaluar nuk ka arritur t’i shkoj tek varri në Drelaj.

“Tash nji vit m’pikoi gjak zemra që s’mujta me t’ardhë të varri n’Drelaj, se ishim të mbyllun n’karantinë, e kët vit Zoti ma çoi s’mundjen e m’lidhi për krevat e prap dy lule nuk t’i solla të guri, mes Bjeshkëve te Nemuna!”.

Lajçi pas përfundimi të xhirimeve të një filmi mbrëmë është shtruar për trajtim në Pulmologji.

“Po mirakja ime, po! Dergjë vjet e dergjë sivjet, e ti prap festoje me ëngjëj ditlindjen se zemrat tona aty ke me i pasë, ani se prap do t’jemi larg!
Mbramë, (n’skenën e fundit t’filmit), djemve t’ilegales iu thashë: Ma e randësishme asht jeta e Levizjës Qëndresa se jeta e nji plaku, prandaj gëzuar Mirashe për sot, se kur t’çelin lulet e baba t’shnoshet, atje ke me pasë me Latin, Galën e Kosin!”.

Shkrimi i plotë i Lajçit:

Gëzuar me ëngjëjt
A thua hina n’gjynah që shumë shkrova për turbukullozën tande nanë, apo Zoti deshti me m’shpërblye për kujtesën, e m’ktheu n’repartin e veremlive,(siç m’thoshe sa herë visha n’Pejë për vizitë) nuk di, por nata m’erri sonte n’emergjecë e ferku i sabahut m’çeli n’repartin e dr. Vllaznimit n’Pulmologji, pikërisht n’ditëlindjen tande Bubë!
E sheh moj bijë, qyshë ditët s’u përngjajnë ditëve as vitët viteve?
Tash nji vit m’pikoi gjak zemra që s’mujta me t’ardhë të varri n’Drelaj, se ishim të mbyllun n’karantinë, e kët vit Zoti ma çoi s’mundjen e m’lidhi për krevat e prap dy lule nuk t’i solla të guri, mes Bjeshkëve te Nemuna!
Jo Bubë, s’i ngjajka as nata natës as Çuni Çunit ma!
Mbramë e përfundova rolin e Zekës, të rexhizori Valter, atje n’Ujëz, buzë Drinit, n’kullën e Gjon Karaçit, (e kuj mos i raftë me dalë para kamerës tue marrë frymë si peshku n’zall) e turr n’Prishtinë, për tu pa me Leartin Galën e Kosin, e m’u zbardhë n’spital për nji grimë frymëmarrje e shpresë!
M’shiqonte Learti e unë s’guxojsha me i thanë: Sot rendi asht kanë me dalë të Buba n’Drelaj, se borxh i mbetëm vjet, e kur borxhi-borxhin e trashë, zor se kthehet ma!
Po mirakja ime, po! Dergjë vjet e dergjë sivjet, e ti prap festoje me ëngjëj ditlindjen se zemrat tona aty ke me i pasë, ani se prap do t’jemi larg!
Mbramë, (n’skenën e fundit t’filmit), djemve t’ilegales iu thashë: Ma e randësishme asht jeta e Levizjës Qëndresa se jeta e nji plaku, prandaj gëzuar Mirashe për sot, se kur t’çelin lulet e baba t’shnoshet, atje ke me pasë me Latin, Galën e Kosin!
Bubulinë, gëzuar me ëngjëjt!
P.s
Harrova
Prap ma morën strishon n’hundë, mos rastësisht m’ka marrë virusi për të tretën herë!
Veç n’qoftë indiani tash, se ky anglezi iku para nji mueji!

Pulmologji, 02.05.2021